Dekreti i presidentit, reagon Bardhi: Begaj, robot i komanduar nga Rama! Futi zgjedhjet e Tiranës në ngërç kushtetues

1 October 2025, 16:28Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Dekreti i presidentit, reagon Bardhi: Begaj, robot i komanduar nga Rama! Futi

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pas dekretimit të zgjedhjeve të parakohshme nga Presidenti Bajram Begaj për Tiranën, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese ka pezulluar procesin për shkak të animimit të Veliajt.

Bardhi e akuzon Begajn si “robot të komanduar nga Edi Rama” dhe thotë se me aktin e sotëm kreu një “puç kushtetues”.

Sipas Bardhit, akti i sotëm i Begajt është i qëllimshëm, për të futur në një ngërç kushtetues zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës.

Reagimi i Bardhit:

Asnjë surprizë nga Bajram Begaj!

Ashtu siç kishim paralajmëruar, Bajram Begaj nuk është President i shqiptarëve, por një robot që komandohet nga Edi Rama. Me shkeljen e rëndë që ka kryer sot ndaj Kushtetutës, Presidenti i Republikës ka kryer një puç kushtetues sepse ka rrënuar edhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe themelet mbi të cilat ndërtohet shteti i së drejtës.

Zgjedhjet e pjesëshme në Bashkinë Tiranë janë futur në një ngërç kushtetues për shkak të aktit të sotëm të Presidentit të Republikës. Juridiksionin e shqyrtimit të ankimit ndaj VKM-së së shkarkimit nuk e cakton Edi Rama në relacion, por Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Një mandat kushtetues nuk mund të ndërpritet veçse për shkaqet e parashikuara shprehimisht në Kushtetutë dhe kjo i nënshtrohet kontrollit kushtetues.

Askush në 35 vjet demokraci nuk e ka dëmtuar kaq shumë reputacionin e Kreut të Shtetit. Arsyet janë tërësisht banale: Edi Rama ka marrë peng Bajram Begajn, dhe e komandon atë njëlloj si “Diellën”!


Video