Braçe i përgjigjet Ramës: Nuk të gënjej unë për numrin e lopëve, të gënjejnë ministrat!

28 June 2022, 18:09Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Braçe i përgjigjet Ramës: Nuk të gënjej unë
Erion Brace dhe Edi Rama

Gjatë një aktiviteti të organizuar me ekspertë, pedagogë dhe studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, kryeministri Edi Rama vuri në dyshim shifrat e publikuara në të shkuarën nga INSTAT për numrin e lopëve, deleve dhe dhive.

Reagimi i Ramës mbërriti si përgjigje ndaj shqetësimit të ngritur nga Erion Braçe se ka një ulje deri në 30 për qind të krerëve prej 2018-s, kur qumështi u fut në skemën e TVSh-së me 20 për qind.

Deputeti socialist, Braçe iu kundërpërgjigj këtyre deklaratave të Ramës duke nënkuptuar se Kryeministrin nuk po e gënjejnë shifrat e INSTAT, por shifrat e ministrave që dëgjon.

“Unë kam cituar drejt e pa asnjë gabim INSTAT, një institucion që për statistika të tjera e ngremë në qiell. INSTAT thotë se burimin e të dhënave e ka nga Ministria e Bujqësisë. Lopët i ka numëruar ministria edhe në 2017-n, edhe në 2018-n, edhe në 2019-n, 2020 e 2021-n. Po t’i numëroja unë do të ishin më ndryshe”, shkruan Braçe.

Deputeti shpjegon se pse.

“Sepse midis një ministri që thotë “nuk ka qenë aq numri i lopëve se e shtoi ai që ishte atëherë për të vjedhur lekët e vaksinave”, një tjetër ministri që argumenton edhe me thellë “lopët i kanë ngrënë turistët; erdhën shumë, çfarë hanë ata”-në të njëjtat qeveri, unë i besoj haureve bosh, dëshmive të blegtorëve për numrin e lopëve që kishin e kanë, stallat e përgjysmuara, apo edhe me pak; i besoj një fshati të tërë si Lifaj që ka patur mbi 2000 krerë lopë, e tani ka disa qindra”, thotë Braçe.

Sipas Braçes këto janë më të besueshme se pesë ministra nga 2016-ta që akuzojnë njëri-tjetrin se kanë numëruar lopët gabim. Ai thotë se të dhënat e INSTAT janë në linjë logjike dhe numri në rënie i lopëve mbështetet edhe nga sasia e qumshtit të prodhuar.

“Thënë këto, unë mund të pranoj çdo arritje, çdo gjë të mirë të bere e nuk le rast pa e bërë publike, por nuk gënjej dot, kërkënd, përfshirë edhe Kryeministrin. Nuk gënjej dot sepse e para, të gënjesh është mungesë respekti për tjetrin; e dyta, të gënjesh nuk zgjidh problemin dhe kjo nuk shpëton kërkënd, nuk i intereson kërkujt, as bujqëve e blegtorëve”, mbyll reagimin e tij deputeti.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video