Berisha thirrje kavajasve: Çohuni sot, luftoni për çlirimin e Shqipërisë!

13 November 2023, 18:39Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha thirrje kavajasve: Çohuni sot, luftoni për çlirimin e
Ish-kryeministri Sali Berisha në Kavajë

Çohuni sot dhe luftoni për çlirimin e Shqipërisë, kjo ka qenë thirrja e ish-kryeministrit Sali Berisha drejtuar demokratëve të Kavajës në një takim që ka mbajtur mbrëmjen e sotme.

Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama si dhe ka ripërsëritur akuzat e rënda ndaj SPAK, duke e quajtur si një grup kriminal, teksa i ka bërë thirrje kavajasve të çohen sot siç u ngritën “kundër diktaturës më të egër që kishte njohur Europa”.

Pjesë nga fjala e Berishës në Kavajë:

Do ta nis këtë fjalë me një thirrje zemre për çdo qytetar të Kavajës, për çdo qytetar shqiptar, të bëhemi kavajas të vitit 1990. Të ngrihemi sot siç u ngritën atë vit, djemtë, burrat, por e vërteta edhe nënat, vajzat, motrat e Kavajës, kundër më të egrës diktaturë që kishte njohur Europa.

Ata kishin përballë një parti përbindëshe, por ata kishin idealet e ytyre, kishin traditat e shkëlqyera familjare, kishin fisnikërinë e njeriut që nuk shet vlerat e tij.

E vërteta është se grupet antikomuniste të Kavajës, e çliruan Kavajën, shumë kohë përpara çdo qyteti të Shqipërisë.

E çliruan Kavajën sepse ata ishin guximtarë, sepse Josif Buda ra për t’u bërë i vdekur dhe skuqi rrugët e këtij qyteti, sepse e shndërruat stadiumin në një fushë gladiatorësh, në një përballje epike me diktaturën mizore.

Sepse ju kavajasit jo vetëm djemtë dhe burrat, por e vërteta është edhe nënat, motrat dhe vajzat, nuk duruat, nuk pranuat të pajtoheshin më tutje me të keqen.

U ngritët ju, frymëzuat Shqipërinë dhe ndaj ju them sot këtu, me të keqen e madhe që ka pllakosur Shqipërinë pas 30 vitesh, pas një gjeneratë, siç thotë në mënyrë profetike Ronald Regan, që demokracisë vetëm një gjeneratë i duhet për t’u zhdukur, për t’u  zëvendësuar me diktaturën. Dhe kjo ka ndodhur në Shqipëri.

Sot përsëri, Kavaja është qyteti i shpresës. Kavaja nuk u mposht në kushtet më të egra në zgjedhjet e fundit, ju i dhatë qytetit dhe vendit Fisnik Qosen, kryetar bashkie.

Por mos harroni këtu, se kujtoj si sot, datën 20 shkurt, kur në Tiranë do bahej beteja e madhe për të përmbysur shtatoren e satanit. Mbi 1500 burra u nisën në këmbë për të ardhur në Tiranë në betejë dhe u bënë pararoja e asaj beteje.

Sot, çdo kavajas, të cilët çliruan Kavajën, ka mision historik të luftojë për çlirimin e Shqipërisë.


Video