Ish-kryeministri Sali Berisha ka thirrur sot kryesinë e “Rithemelimit”, disa orë pasi Kuvendi i hapi rrugën SPAK-ut të japë ndaj tij masën “arrest në shtëpi”.
Sipas Berishës, pas këtyre zhvillimeve qëndron kryeministri Edi Rama, ndaj ai i bëri thirrje mbështetësve të tij demokratë të “mendojnë çdo ditë” për atë se çfarë mund t’i bëjnë Edi Ramës.
Siç tha Berisha, Rama “faktoi se mund të bëjë gjithçka”, ndaj “ne”, tha ai, “mund t’i bëjmë çdo gjë”.
Më herët, Voxneës.al raportoi se Berisha kishte shprehur pakënaqësi ndaj mbështetësve të tij, për mënyrën e mbrojtjes që i kanë bërë si dhe për pjesëmarrjen e vakët në protesta.
“Sot ne jemi shpresa e vetme për shqiptarët, me një lëvizje të fuqishme në mbarë vendin ne jemi forca e vetme për fitoren e shqiptarëve. Secili nga ju të dashur anëtarë dhe anëtare të kryesisë, të shumëfishojë përpjekjet tuaja. Të mendojë çdo ditë se çfarë do t’i bëjmë sot armikut tonë në pushtet. Ai faktoi se mund të bëjë gjithçka dhe ne do të faktojmë se mund t’i bëjmë çdo gjë. Rruga është vetëm një, përballja, përballja me të.
Askush të mos mendojë se Edi Rama dhe regjimi i tij është i qetë, ai jeton në terror dhe frikë të madhe. Frika bën që ai të urdhërojë një zinxhir aktesh që as Lukashenko i Bjellorusisë nuk do mund t’i realizonte”, u shpreh Sali Berisha.