
Alfred Moisiu deklaroi se nëse Sali Berisha do të bëhej sërish kryeministër do të ishte fundi i botës.
Ai tha se nuk e beson diçka të tillë dhe se kjo sipas tij do të ishte e pamundur të arrihej.
“Kjo është e pamundur të arrihet për mua që Berisha të bëhej kryeministër dhe kjo për faktin sesi do që të jetë njerëzit flasim për pjesën tjetër të popullit shqiptar se dhe ata të PD-së nuk janë të gjithë njësoj. Është referati gri që për fat të keq po zmadhohet nga zgjedhjet në zgjedhje dhe nuk besoj. Nuk mund të them se jemi bërë gjithë populli gri, por ne ballkanas jemi dhe fqinjët tanë kanë problematika sa të duash akoma janë në skenë teoritë e Milosheviçit në skenë, por nuk besoj se Berisha mund të drejtojë dot më Shqipërinë. Këtu ndodhin gjithmonë kriza por mendoj se njerëzit kanë fituar një pjekuri politike të nevojshme dhe domosdoshme për të përballuar situata të tilla politike. Nuk ma merr mendja, por nëse ndodh kjo do ishte fundi i dynjasë”, tha Moisiu nga studio e emisionit ‘Të Paekspozuar’.
Ndër të tjera, Moisiu theksoi se ato akuza që mblodhi Departamenti i shtetit për Berishën kanë qenë të njohura.
“Berishën tani e ndjekin ish-doganierë, ish-financierë, ish-policë, dmth isha që pa mund dhe pa djersë kanë mundur të marrin disa vende dominuese në pushtet. Të gjitha ato që mblodhi Amerika për Berishën kanë qenë të njohura. Unë kam bërë një libër në 2009 ku kam përshkruar gjithë punën e bërë në 5 vite në krye të shtetit. Defekte dhe shkeljet janë bërë dhe ato janë minimi i demokracisë, që është një nga akuzat e ngritura nga departamenti, është çështja e drejtësisë është dhe korrupsioni. Këto tre momente kanë qenë të njohura. Dhe këto nuk po i them tani por i kam shkruar që në 2009”.
Moisiu ka komentuar edhe lidhur me faktin që është zgjedhur vetëm njëherë president dhe pse nuk ka kërkuar një mandat të dytë.
Ai tha se nuk e ka kërkuar një gjë të tillë sepse kuptoi se nuk e donte asnjëra palë dhe se siç ai shprehet qëkur pranoi atë post kërkoi nga palët që të mos ndërhynin në punët e tij, binomë i cili nuk funksionoi.
“Jo nuk kërkova një mandat të dytë sepse e kuptova se nuk më donte asnjëra palë. Kështu që unë as nuk tentova fare, megjithëse të them të drejtën e kam një kritikë për veten time, mbase duhet ta kisha bëra por vështirë të arrihet sepse vura re sepse pash temperaturat gati përvëluese kundër meje. Unë nuk e di çfarë kanë thënë ata, por problemi është se unë kur më ftuan e pranova dhe në tavolinë ju thash se kam një edukatë familjare dhe edukim profesional dhe nuk pranoj ndërhyrje në punët e mia. Unë ndoqa një parim nga i cili jam edukuar si në rrethin familjar dhe atë ushtarak, unë punoj për shtetin dhe shteti mendon për mua. Ky binom nuk funksionoi”.