Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka marrë pjesë ditën e sotme në një tryezë të organizuar nga Albanian Policiy Center dhe Fondacioni “KONRAD ADENAUER” me temë: “Vlerësimi i Reformës në Drejtësi të Shqipërisë. Sfidat, Pasojat dhe Rruga e Drejtë.”
Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Berisha tha se Reforma në Drejtësi në Shqipëri është eksperimenti më i shëmtuar i ekstremit të majtë në Europë.
Ai shtoi gjithashtu se kjo reformë u projektua në mënyrë të fshehtë në një dokument të fshehtë të fondacionit Shoqëria e Hapur, të drejtuar nga miliarderi George Soros.
Ish-kryeministri tha po ashtu se shqiptarët, kurrë që nga vitet ‘90 gjersa u zbatua ky proces, nuk kanë pasur një proces ligjor të përsosur, por kanë pasur një proces ligjor të pranueshëm.
“Unë dua të falënderoj Editin dhe Dianën, të cilat me guxim morën përsipër të trajtojnë me fondacionin Adenauer këtë çështje jashtëzakonisht të rëndësishme, e cila mbart në vete disa të vërteta realisht të pabesueshme për një vend anëtar i NATO-s, që aspiron të integrohet në BE.
Reforma në drejtësi në Shqipëri, të jemi të hapur, u projektua në mënyrë të fshehtë në një dokument të fshehtë të fondacionit Shoqëria e Hapur.
Dokument, i cili u bë publik në një nga këto likat e njohura, në të cilat ne pamë se ky fondacion kishte hartuar një strategji në të cilën përcaktonte ndryshime të thella, reformën e Kushtetutës, reformën e sistemit të drejtësisë dhe reformën elektorale.
Unë nuk do ndalem këtu tani në historikun 10-vjeçar, por është normale dhe ne kemi kërkuar ndihmën e miqve tanë, e fondacionit Adenauer që të studiohet ky realitet, që të mos pranohet si tabu, se tabutë janë fenomene tipike për diktaturat dhe autokracitë. Për sistemin e lirë e demokratik janë reformat, ato të cilat janë konstantja e tij.
Por, në rast se bëjmë bilancin 10-vjeçar të kësaj reforme të realizuar nga ekstremi i majtë, cili është?
E para, është mohimi i të drejtës së shqiptarëve, jo me ligj, por me fakte dhe realitet, për të pasur një proces ligjor të drejtë.
Shqiptarët, kurrë që nga vitet ‘90 gjersa u zbatua ky proces, nuk kanë pasur një proces ligjor të përsosur, por kanë pasur një proces ligjor të pranueshëm”, tha Berisha.
Berisha thotë se krijimi i stokut të dosjeve i kushton vendit miliarda Euro humbje.
“Dhe, ata që flenë mbi dosje, ata që flenë mbi të drejtën e qytetarëve për të pasur një proces ligjor të ndershëm, ata nuk bëzajnë më. Ata lëshojnë deklarata në mbrojtje të këtij dështimi madhor me pasoja katastrofale për Shqipërinë, sepse bllokimi apo asgjësimi i çështjeve civile, de facto i kushton vendit miliarda Euro humbje. Nga ana tjetër, ky bllokim ka zhdukur sigurinë juridike në këtë vend. Aq e rëndësishme dhe aq jetike për shtetin e të drejtës. Siguri juridike këtu nuk ka më. Kjo situatë ka bllokuar tërësisht investimet e huaja në këtë vend. Ka privuar vendin nga miliarda.
Ato që ju keni lexuar, ato janë që të gjitha të TAP-it, të Devollit dhe të Fanit. Të tjerat janë blerje banesash nga emigrantët shqiptarë, që këtu i regjistrojnë si të huaj. Sepse nuk ka të huaj që mund të vijë të investojë në një vend kur e sheh që një çështje civile duhet të presë 15 vite. Pra, kjo është një pasojë jashtëzakonisht e rëndë për qytetarin shqiptar. Por, tani marrim disa aspekte të tjera të kësaj reforme. Një aspekt tjetër dramatik, antidemokratik, antikushtetues i saj, është kontrolli policesk i prokurorit mbi gjykatësin që i dorëzon dosjen. Kjo nuk ka qenë as në diktaturë”, u shpreh Berisha.
Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se në këtë sistem është zhdukur edhe prezumimi i pafajësisë. Kreu i demokratëve theksoi se drejtësia tashmë është kthyer në një armë politike e fuqishme në duart e regjimit kundër opozitës.
“E treta, po kaq e rëndësishme. Është zhdukur në këtë sistem prezumimi i pafajësisë, parimi themelor i prezumimit të pafajësisë. Po të shkoni në popullatën e burgjeve, 62 përqind e të burgosurve në këtë vend janë të paraburgosur, persona nën hetim, persona që absolutisht shumica e tyre nuk duhet të ishin aty ku janë. Por ky është një sistem strikt policesk, të arreston polici dhe të lënë aty, nuk flet më kush me ty. Dhe aty janë bërë 62 përqind të burgosurve janë të paraburgosur. As diktaturat më të ashpra nuk kanë këtë përqindje. Po kjo ekziston se këtu nuk ka prokurorë dhe gjykatës. Për të zbardhur vendimin i duhen 4 apo 5 muaj apo të fusësh mik për të zbardhur vendimin. Tani, këto janë konsekuencat e rënda për qytetarin shqiptar. Kemi edhe një problem tjetër të dokumentuar, faktik. Kjo drejtësi ka krahun e saj politik të pamohueshëm.
Nuk ka akt më të rëndë se sa amnistimi i krimit elektoral. Sepse ajo faktikisht përbën licencë për bllokimin e rotacionit të pushtetit. Përbën licencë për përdorimin e krimit dhe manipulim të vullnetit të zgjedhësve. Së dyti, e thashë edhe më sipër, një drejtësi e cila në vitin elektoral, arreston si persona nën hetim drejtuesit e tre partive kryesore opozitare. Sjellje identike me Zajedin e Tunizisë. Por Zajedi, në dallim me Zajedin e Tiranës, asnjërin prej tyre nuk e dhunoi publikisht në mes të rrugës siç veproi Lukashenko i Tiranës me Ilir Metën. Apo siç vepruan me marrje mandatesh të Fredi Belerit dhe Ervin Salianjit. Pra, është shndërruar në një armë politike e fuqishme në duart e regjimit”, theksoi Berisha.