Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua ditën e sotme me Gunther Krichbaum, Zëdhënës i Çështjeve Europiane të Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag dhe anëtar i Asamblesë Politike të Partisë Popullore Europiane
Basha tha se lufta kundër korrupsionit është prioritet kombëtar i Partisë Demokratike, jetik për ecjen përpara dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Shqipëria renditet ndër vendet më të korruptuara ne botë dhe kjo e bën edhe me emergjente luftën kundër këtij fenomeni.
"Partia Demokratike mbështet punën e institucioneve të drejtësisë dhe inkurajon SPAK të vijojë me vendosmëri përpjekjet për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të çuar para drejtësisë ata që kanë abuzuar më paratë dhe besimin e qytetarëve", deklaroi Basha.
Duke u ndalur te zhvillimet në Partinë Demokratike, Basha theksoi se partia është në një proces riorganizimi të saj, “ku shumë të rinj tashmë janë bërë pjesë e përgjegjësisë për të ndërtuar alternativën që presin dhe duan shqiptarët. Brenda marsit të vitit të ardhshëm, PD do të përzgjedhë ekipin e kandidatëve për deputetë dhe do të nisë diskutimet publike mbi programin e saj, me propozime dhe objektiva që do ta ndryshojnë Shqipërinë dhe përshpejtojnë futjen e saj në BE”, thuhet në njoftimin e PD.