Kreu i demokratëve euroatlantikë, Lulzim Basha thotë se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të kandidojë me lista të hapura dhe me 140 deputetë.
Ndonëse nuk e ka ende një parti të zyrtarizuar, Basha është shprehur optimist gjatë një interviste për gazetaren Dafina Hysa në Top News, për përballjen e tij në zgjedhje me dyshen Edi Rama dhe Sali Berisha.
“Ne jemi në fazën e përfundimit të listës së kandidatëve tanë për deputetë. Pas pak javësh do të bëhen publikë. Lista do të jetë e konsoliduar. Konsensusi i kryetarit të partisë dhe Këshillit Kombëtar është të shtrimë përpara mbylljen e listave, por në çdo rast do të garojmë me listat tona të hapura me 140 kandidatë”, tha Basha.
I pyetur për largimin e Enkelejd Alibeaj nga grupimi i tij, Basha tha se nuk do të mbajë asnjë njeri me forcë pranë tij.
“Nuk i kam ndjekur, sepse humbja e energjive me diskutime të kota me njëri tjetrin, i shërben penalizmit të të gjithë qytetarëve shqiptarë. I japim shqiptarëve një alternativë të plotë. Kushdo që i qëndron këtyre vendimeve, do të vazhdojë rrugëtimin, askush nuk mbahet me forcë në radhët tona”, shtoi Basha.
Më tej, Basha sulmoi kryetarin aktual të PD-së, Sali Berishën, duke thënë se po e përdor partinë si mburojë personale ndaj SPAK-ut.
“Berisha Partinë Demokratike e ka dashur për ta përdorur si mburojë, dhe kjo u bë e qartë ditën kur u thirr për akuzat para SPAK-ut thirri porotestën. Ajo PD është e shkalafitur, nuk ngrihet dot në këbë as për të bërë një protestë për të mbrojtur veten. Natën bën pazare me Ramën, dhe më pas bën sikur e sulmon Ramën. Ta braktisim njëherë e mirë duo-polin e Edi Ramës dhe Sali Berishës dhe të zgjedhim një program me deputetë që u përgjigjen dhe e vendosin interesin e qytetarëve mbi interesin e tyre”, vijoi Basha.