Balluku prezanton Manastirliun si kandidate të Tiranës, Bardhi akuzon zv.kryeministren  për korrupsion dhe SPAK-un për mosveprim

27 September 2025, 21:21Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Balluku prezanton Manastirliun si kandidate të Tiranës, Bardhi akuzon
Bardhi dhe Balluku

Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, ka prezantuar sot zyrtarisht Ogerta Manastirliun si kandidate për Bashkinë e Tiranës.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Balluku që është edhe drejtuese e fushatës në Tiranë, ka ndarë një foto të saj me Manastirliun, teksa shkruan dhe fjalë motivuese për të.

Për këtë postim të Ballukut, ka reaguar edhe kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi që ka renditur një sërë akuzash ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar si simbol të korrupsionit në qeveri.

Sipas tij, vetëm gjashtë projekte të saj përfaqësojnë një vlerë dëmi sa buxheti vjetor i Bashkisë së Tiranës.

Bardhi akuzon SPAK për mungesë veprimi. Ai thotë se ndërsa Balluku planifikon të ardhmen për veten, shqiptarët po largohen të pashpresë nga vendi.

“Ëndrrat dhe planet e Belinda Ballukut, që nuk përfshijnë ato të Ogertës, për mungesë hapësire në poster! ????

Vetëm në 6 projekte korruptive vlera e vjedhjes arrinë sa Buxheti i plotë vjetor i Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë me këtë CV të pasur vazhdon të ecë e qetë dhe e qeshur rrugëve të Tiranës, sa kohë ka nënshtruar me presion kriminal SPAK dhe prokurorët janë NËNSHTRUAR!

….Ëndrrat dhe planet vazhdojnë sigurisht për veten dhe fëmijët e tyre, ndërkohë që detyrojnë shqiptarët dhe fëmijët e tyre të braktisin të pashpresë Shqipërinë”, shkruan Bardhi në rrjetet sociale.

 


Video