A do t’i bashkohet Bashës nëse krijon parti të re? Si përgjigjet Ina Zhupa

30 March 2022, 20:31Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

A do t’i bashkohet Bashës nëse krijon parti të re? Si

E ftuar në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi, deputetja e PD Ina Zhupa, është shprehur se nuk do t’i bashkohet Lulzim Bashës, nëse ky i fundit do të krijojë një forcë të re politike.

Zhupa tha se ajo do të vijojë të jetë pjesë e pandarë e PD, ndërsa shtoi se nuk beson që Basha të krijojë një forcë të re politike dhe se ai ka ende mundësi për të dhënë kontribut në Partinë Demokratike.

A do t’i bashkoheni zotit Basha nëse krijon një parti politike?

Zhupa: Unë jam tek PD. Por unë mendoj se Lulzim Basha është një njeri që mund të kontribuojë brenda PD-së, prandaj kam propozuar që në mbledhje të jetë edhe Basha edhe Berisha. Unë do të qëndroj te PD kjo është pak por e sigurtë.

Sa mbështetje i kanë ngelur Bashës në grupin e PD?

Zhupa: Të them të drejtën do dukesha sikur do gënjeja po të thoja se këta janë njerëzit e Bashës dhe këta të Berishës. Në mbledhjen e  fundit me zotin Basha të gjithë anëtarët në mbledhje i kërkuan zotit Basha të bënte një hap pas, dhe këtë kërkesë ai e materializoi duke dhënë dorëheqjen. Tani nuk e di të them se në cilat pozicione kanë sot në raportin mes Bashës dhe Berishës, pro të gjithë deputetët mendojnë për bashkimin.

E pyetur nga gazetarja Juli Xhokaxhi, se a duhet të jetë Sali Berisha ditën e enjte pjesë e mbledhjes së grupit parlamentar të PD, Ina Zhupa tha se askush nuk duhet përjashtuar. Ajo theksoi se ka ardhur momenti që të gjithë demokratët të ulen bashkë dhe të diskutojnë, duke ndryshuar qëndrim 180 gradë nga deklaratat që ka bërë më herët kundër Berishës.

“Propozimi im siç e cituat edhe ju është që ne duhet të ulemi me njëri-tjetrin të gjithë bashkë që janë 52 deputetë të dalë nga listat tona dhe 7 nga partitë aleate. Gjithë ideja ime dhe gjithë propozimi im është se ne kemi nevojë të flasim dhe të gjejmë zgjidhje për të shkuar tek bashkimi. Unë mendoj se të dyja palët të ndalojnë një moment nga retorika që kanë përdorur deri tani dhe të mendojmë si një palë si PDSH. Kjo nuk do të thotë që të zhbëjmë në moment çdo veprim, por ta diskutojmë nëse është vendimmarrje e duhur përjashtimi apo jo, zgjedhjet nëpër struktura, asgjë nuk duhet marrë si e mirëqenë, pasi nuk ka pastaj formulë bashki”, tha Zhupa.

Zhupa ka qenë një ndër deputetet më të ashpra kundër Berishës, por duket se qëndrimet e saj janë moderuar tashmë.

Gjatë ditës së martë Enkelejd Alibeaj ftoi të gjithë deputetët e PD në mbledhjen e grupit që do të zhvillohet ditën e enjte para nisjes së seancës plenare, me përjashtim të Sali Berishës. Sali Berisha tha se do të jetë i pari që do të hyjë në mbledhjen e grupit. Pas tij reagoi edhe Gazmend Bardhi i cili tha se askush nuk mund t’i imponohet grupit, duke i kujtuar Berishës se është non-grata nga SHBA.


Video