
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla nuk ka mohuar asnjë mundësi dialogimi me opozitën për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Balla tha në “News” 24 se PS është e gatshme për të diskutuar me të gjithë Grupet Parlamentare me qëllim që t’i japin vendit një president ndryshe, ndërsa theksoi se selia rozë ka lidershipin e këtij procesi.
“Të hënën ne bëmë një diskutim edhe ne Kryesinë e PS. Ne jemi të qartë që ne kemi lidershipin e këtij procesi. Ne do të iniciojmë në javën pasardhëse të kemi një Konferencë Kryetarësh duke miratuar një kalendar për këtë proces. Jemi të gatshëm të diskutojmë me të gjithë Grupet Parlamentare me qëllim që t’i japin Shqipërisë një president të kundërt nga ai që kishim”, tha Balla që shtoi se mazhoranca kërkon “një president normal”.
Lidhur me zhvillimet në selinë e PD, Balla tha se “janë punët e brendshme të një partie, por dua të jetë e qartë se e pafalshme dhe e papranueshme që në vitin 2022 të drejtohet nga një person i cili është shpallur non grata nga SHBA për korrupsion. Jam i sigurtë që nuk do të mbarojë me Berishën. Kjo kryengritje brenda PD-së, për çfarë? Për një person që do të mbyllë hesapet me Shqipërinë”.