'21 Janari', sot 13 vite nga vrasja e 4 protestuesve nga Shteti në protestën para Kryeministrisë

21 January 2024, 07:59Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
'21 Janari', sot 13 vite nga vrasja e 4 protestuesve nga Shteti
Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj u vranë nga shteti, ai që duhej t’i mbronte.

Sot, shënohen 13-vite nga ngjarja e 21 janarit e vitit 2011, e cila është një ndër më të dhimbshmet në vendin tonë, pasi mbetën të vrarë 4 protestues në bulevardin dëshmorët e kombit. Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj u vranë nga shteti, ai që duhej t’i mbronte.

Kur kanë kaluar 13 vite, familjet e 4 viktimave ende nuk gjejnë paqe. Sytë e thirrjet i drejtojnë te SPAK për vënë në vend drejtësinë e mohuar. Që urdhëruesit e zbatuesit të marrin dënimin e merituar.

Edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, në vendimin e 14 nëntorit 2023 për Aleks Nikën, një prej protestuesve të vrarë, argumenton se në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit 2011 ka pasur mangësi të shumta, të cilat ngrenë dyshime se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin padrejtësisht.

Çfarë ndodhi më 21 Janar 2011?

Më 21 janar 2011, protestuesit filluan të mblidhen rreth orës 11:00 paradite në sheshin kryesor të qytetit; në të njëjtën kohë, komandantët e Gardës së Republikës i dhanë oficerëve të tyre udhëzimet përfundimtare. Oficerët e Gardës së Republikës më pas zunë pozicionet e tyre rreth Kryeministrisë. Përfaqësues të shumë mediave u pozicionuan gjithashtu në anë të ndryshme të Kryeministrisë – disa prej tyre në platforma të ngritura që ishin vendosur për të mbuluar protestën.

Rreth orës 14:00 protestuesit mbërritën te Kryeministria, përpara hyrjes kryesore ku kishte dy kordonë policie.

Rreth orës 14:30 disa nga protestuesit nisën të gjuanin me sende të forta kundër kordonit të parë të policëve dhe situata u përshkallëzua. Kordoni i dytë i policisë (i cili përbëhej nga forcat speciale të policisë), hodhi gaz lotsjellës. Rrjedhimisht, protestuesit u shpërndanë përkohësisht dhe policët e kordonit të parë, të cilët nuk ishin të pajisur me maska gazi lotsjellës, u larguan nga pozicionet e tyre. Protestuesit vazhduan të gjuanin me gurë dhe sende të ndryshme të forta nga anët e godinës. Ata gjithashtu u grumbulluan përsëri përballë saj.

Autoritetet përdorën topat e ujit për t’i shpërndarë. Protestuesit dogjën disa pemë dhe makina, dhe hodhën koktejl molotov në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Disa policë dhe oficerë të Gardës së Republikës u plagosën.

Në një kohë të pacaktuar (rreth orës 16:00) një numër relativisht i vogël protestuesish sulmuan portën prej hekuri të makinave në veri të ndërtesës dhe depërtuan njëzet ose tridhjetë metra në oborr (d.m.th. në zonën mes gardhit mbrojtës dhe vetë ndërtesës). Një makinë e drejtuar nga një protestues u përpoq të hynte me forcë përmes portës së makinave, por u përplas me një pengesë të ngritur për të parandaluar ndërhyrje të tilla.

Një oficer i Gardës së Republikës përdori megafonin për të paralajmëruar protestuesit duke thënë si më poshtë: “Qytetarë, po shkelni rregullat, po shkelni ligjin, keni hyrë në zonat e sigurisë; ndaj jush do të ndërmerren masa sipas ligjit.”. Më pas, një grup oficerësh të Gardës së Republikës, të pajisur me mburoja dhe shkopinj, ndërhynë dhe i shtynë protestuesit jashtë oborrit.

Në një moment të pacaktuar, disa oficerë të Gardës së Republikës filluan të përdorin armët e tyre të zjarrit, duke qëlluar me plumba manovër, por edhe të vërtetë, me justifikimin për të penguar vazhdimin e sulmit të protestuesve ndaj godinës.

Rreth orës 16:10, si pasojë e të shtënave, tre protestues, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj vdiqën në vend. Aleks Nika, i cili në ato momente ndodhej pranë trotuarit përballë Kryeministrisë dhe nuk ishte i përfshirë në asnjë akt të dhunshëm, u godit nga një plumb në kokë.

Po kështu, tre viktimat e tjera ndodheshin jashtë oborrit të Kryeministrisë dhe asnjëra prej tyre nuk ishte e përfshirë në akte të dhunshme. Si pasojë e konfrontimeve u plagosën rreth dyzet e pesë qytetarë, tetëdhjetë e një oficerë të Gardës së Republikës dhe njëzet e shtatë police.

Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite. Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika u shpallën “Dëshmorë të Atdheu” në përkujtimoren e 10-të.

Sakaq familjarët e viktimave, nuk kërkojnë gjë tjetër veçse drejtësi.


Video