
Agjencia për Media dhe Informim (MIA) ka reaguar lidhur me pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale, ku shfaqen mjete ushtarake në rrugët e një qyteti, duke sqaruar se ato nuk i përkasin Shqipërisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, MIA u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes me informacionet dhe videot që hasin në internet, duke theksuar rëndësinë e verifikimit të vërtetësisë së tyre përpara se t’i besojnë apo t’i shpërndajnë.
“Ju lutemi, tregoni kujdes me informacionet dhe videot që hasni online. Mos i besoni dhe mos i shpërndani pa verifikuar më parë vërtetësinë e tyre”, thekson MIA.
Agjencia ka nënvizuar gjithashtu se parandalimi i përhapjes së lajmeve të rreme është përgjegjësi e çdo qytetari.
“Përgjegjësia për të ndalur përhapjen e informacionit të rremë nis nga secili prej nesh”, thekson Agjencia për Media dhe Informim.