
Dom Mikel Pllumaj, ka komentuar zhvillimet e ditëve të fundit në vend. Duke folur për protestat dhe përplasjet mes palëve, famulllitari I Shkodrës ka thënë se shqiptarët nuk duhet të vriten me njëri- tjetrin, ndërsa ka apeluar palët që të lëshojnë ndaj kërkresave të njëra- tjetrës.
“Provoni të imagjinoni çfarë ka ndodhur këto katër apo pesë ditët e fundit. Nuk është mirë.
As për njërën palë, as për tjetrën palë, as për rininë, as për policinë, bij të të njëjtit vend, që derdhin gjakun e njëri-tjetrit, që duan t’ia nxjerrin sytë njëri-tjetrit. Pse përfundon njeriu në këtë gjendje?
Duket se ne shqiptarët nuk kemi fare shpirt për njëri-tjetrin. Edhe ata bij që e kanë drejtuar këtë vend prej kaq vitesh janë bijtë tanë, të të njëjtit vend. Gjakun tonë nuk na e ka sjellë askush tjetër.
Sa e rëndësishme është, vëllezër dhe motra të dashur, të jemi të formuar, të formuar mirë në mendje dhe në zemër. Sa e rëndësishme është ta lejojmë kulturën e dashurisë së Krishtit të prekë shpirtin e shqiptarit.”
Deklaratat e famullitarit katolik të Shkodrës, u bënë gjatë kremtimeve të vigjiljes së festës së Zojës së Shkodrës, pajtore e qytetit. Për nder të kësaj feste, zhvillohen një sërë aktivitetesh që kulmojnë me spektaklin e fishekzjarreve.