George Clooney është rikthyer në Festivalin e Filmit në Venecia, në ceremoninë e hapjes, këtë herë për t’u nderuar me “Luanin e Artë” për arritjet e tij në karrierë.
Gjatë konferencës për shtyp, aktori dhe regjisori 65-vjeçar foli edhe për situatën politike në SHBA, lirinë e shprehjes, por gjithashtu edhe për ndikimin gjithnjë e më të madh të Inteligjencës Artificiale në industrinë e filmit.
I pyetur për klimën politike në Shtetet e Bashkuara, Clooney u shpreh optimist, pavarësisht periudhës së vështirë.
“Jam gjithmonë shumë optimist për gjërat dhe ndodhemi në një periudhë që është e pakëndshme dhe mendoj se kjo është një mënyrë mjaft e butë për ta përshkruar. Megjithatë, besoj se do ta kalojmë edhe këtë periudhë”, deklaroi ai.
Por tema që ngjalli më shumë vëmendje ishte Inteligjenca Artificiale dhe ndikimi i saj në tregun e punës në Hollywood. Clooney paralajmëroi se teknologjia mund të eliminojë një numër të konsiderueshëm vendesh pune, veçanërisht në fushën e efekteve vizuale.
“Do të na dëmtojë në shumë mënyra. Nëse je mbikëqyrës i efekteve vizuale, do të përballesh me vështirësi, sepse shumë prej këtyre vendeve të punës do të zhduken. Ndoshta rreth 30% e vendeve të punës”, u shpreh ai.
Clooney e trajtoi me humor edhe ndikimin e mundshëm të AI-së mbi imazhin e tij pas vdekjes.
“Nuk do të doja që, 20 vjet pas vdekjes sime, imazhi im të përdorej përmes AI-së në një reklamë për tamponë”, u shpreh aktori.
Në fund, Clooney foli edhe për moshën dhe jetën personale. Duke iu referuar 65-vjetorit, ai tha se me kalimin e viteve gjithçka merr një nuancë më melankolike. Megjithatë, ai theksoi se ndihet shumë me fat për jetën që ka ndërtuar.
“Kam një bashkëshorte të mrekullueshme, të cilën e dua shumë dhe që më do, kam fëmijë të mrekullueshëm dhe vazhdoj të kem mundësi të punoj kur dua. Jeta është goxha e mirë”, tha Clooney.
George Clooney është një nga aktorët, regjisorët dhe producentët më të njohur të Hollywood-it, me një karrierë që shtrihet në më shumë se katër dekada.