Reperi nga Kosova, Fero thotë se do të largohet nga muzika, dhe shkak për këtë është bërë besimi fetar i Islamit ku thuhet se muzika është “harram” apo e ndaluar.
Fero thotë se tashmë falet pesë herë në ditë, dhe është penduar për muzikën që ka bërë në të kaluarën.
Ai i bën thirrje fansave të mos i dëgjojnë këngët e tij. Kujtojmë se Fero ka vetëm pak kohë që ka dalë nga paraburgimi pas akuzave për dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Mesazhi i Feros për ndjekësit:
Përshëndetje miq, desha t’ju njoftoj se kohëve të fundit kam pasur disa sfida në jetën time, të cilat me ndihmën e Allahut i kam kaluar. Unë kam vendosur që përfundimisht të largohem prej muzikës, arsyeja kryesore është se kohëve të fundit kam studiuar rreth fesë islame dhe më është bërë e qartë se muzika është e ndaluar në islam. Për këtë arsye kam vendosur që ta lë muzikën dhe t’i përkushtohem fesë islame dhe familjes time.
Unë dua t’ju njoftoj se falem 5 herë në ditë, dhe pendohem te Allahu, Krijuesi i gjithësisë për çdo këngë që e kam kënduar dhe çdo tekst që e kam shkruar, pastaj i kërkoj falje familjes time dhe gjithkujt që i kam bërë padrejtësi, ju kërkoj që t’ma bëni hallall.
Unë kam një mesazh për çdo kënd që dëgjon këngët e mija le t’i fshijë ato këngë ose mos t’i dëgjojë asnjëherë, le të largohet nga kjo gjë e kotë.
Secili njeri është i lirë të zgjedh mënyrën se si ta jetojë jetën e tij.
Gjithashtu ju thërras të gjithë juve që të falni namazin, ndiqni shembullin tim të udhëzimit dhe të largoheni nga shembulli i devijimit.
E di se do të ketë njerëz që do të më paragjykojnë, do të thonë se a e dini se çfarë mëkate ke bërë etj, mirëpo mua më mjafton fjala e Allahut të Lartësuar: “Thuaj: “O robërit e mi, ju që e keni ngarkuar veten me shumë gabime, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, se vërtet Allahu i fal të gjitha mëkatet”.
Ez Zumer 53.
Me respekt Feronit Shabani
