25 ushtarë të KFOR-it mbetën të plagosur në përleshjet që ndodhën në veri të Kosovës pasditen e së hënës. Protestuesit serbë sulmuan forcat shumëkombëshe me sende të forta.
Pas paralajmërimeve të vazhdueshme për t’u larguar, rreth orës 17:00 trupat e misionit të NATO-s ndërhynë për të shpërndarë protestuesit. Ata kontestuan thirrjet për t’u shpërndarë duke hedhur bomba shok dhe molotov dhe gjuajtën me gurë dhe shkopinj.
View this post on Instagram
Nga përplasjet pati 25 të lënduar nga njësitë e KFOR-it, ndërsa makina të policisë dhe të mediave u dogjën. Përplasjet nuk munguan as mes serbëve dhe Forcave Speciale të Policisë së Kosovës.
Në komunikatën e KFOR thuhet se “disa ushtarë të kontingjentit italian dhe hungarez të KFOR-it ishin objekt i sulmeve të paprovokuara”. Ata kanë marrë plagë me thyerje dhe djegie nga shpërthimi i mjeteve ndezëse.
Komandanti i misionit të KFOR-it, gjenerali i divizionit Angelo Michele Ristuccia theksoi se sulmet e paprovokuara ndaj njësive të NATO-s janë të papranueshme dhe KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij në mënyrë të paanshme.