Një ngjarje aspak normale ka ndodhur në një lokal në Kosovë, ku po pinte kafe ministri i Bujqësisë, Faton Peci bashkë me një mikun e tij.
Siç shihet dhe në pamjet e mëposhtme të publikuara në rrjet, një vajzë e vogël ka shkuar në tavolinën e ministrit dhe ka kërkuar lëmoshë, mirëpo ministri preferoi as mos kthente kokën të shihte vajzën.
Kjo skenë e trishtë bëhet akoma dhe më e rëndë pas ndërhyrjes së kamarierit, i cili sapo pa që vajza e vogël “po shqetësonte” ministrin shkoi e mori vajzën dhunshëm në krahë dhe e largoi nga lokali.
Kjo video po bën xhiron e rrjetit dhe të shumta janë reagimet e qytetarëve të cilët dënojnë këtë akt dhune ndaj një fëmije të mitur si dhe reagimin e ministrit i cili, jo vetëm që nuk i dha lëmoshën që vajza po kërkonte, por nuk reagoi as ndaj mënyrës si kamarieri e nxori atë nga lokali.
Lidhur me këtë rast, ka ardhur një reagim nga vetë ministri Peci, ku një postim në rrjetet sociale shkruan se ka qenë i përqëndruar në bisedë e nuk ka pasur aspak për qëllim të tregohet indiferent ndaj vajzës.
Reagimi i Pecit:
Së pari, distancohem nga secili akt që përcjellë dhunë ndaj çdo qytetari të Republikës së Kosovës, e ndaj fëmijëve në veçanti, pa dallim feje, etnie a komuniteti. Së dyti, në mungesë të skandaleve në institucionin të cilin e udhëheq, si dhe për t’i zbehur sadopak sukseset në sektorin e bujqësisë, nuk janë të paktë ata që ditë e natë më ndjekin hap pas hapi duke xhiruar vazhdimisht, për të gjetur apo për ta shpikur ndonjë moment në të cilin unë kryej “veprime skandaloze”. I ka rastisur secilit që kur bisedon me tjetrin, vëmendja është vetëm tek bashkë-biseduesi e jo tek i gjithë lokali. Kete pamje per here te pare e pashe ne rrjete sociale e ne media. Nga ana tjetër, unë nuk jam përgjegjës për veprimet e asnjë individi të moshës madhore e sidomos të një të punësuari në një nga lokalet e qytetit; ku ndaj veprimeve si në video, distancohem plotësisht. Siç rëndom ndodh, së fundmi të koordinuar mirë në sulm ishin edhe disa “Rugovista” të Hashimit. Mirëpo kjo nuk do ta ndalë luftën time kundër krimit e korrupsionit sepse do të vazhdoj të punoj për shtet ligjor e dinjitoz. 62 milionë euro këtë vit nuk shkuan në xhepat e atyre që blinin xhipa të zinj por tek bujqit e vërtetë të Kosovës e kjo siç shihet po iu pengon disave ashtu siç po iu pengojnë 26 milionë euro të projekteve të granteve që nuk shkuan tek shokët e tyre apo edhe denoncimi i keqpërdorimeve të shumta me pronat e Ministrisë së Bujqësisë.
Përkrahja per komunitetet jo-shumicë nga Qeveria e tanishme është më e madhe se asnjëherë, ndërsa dita-ditës, organet e rendit bëjnë përpjekje t’i luftojnë dukuritë negative, përfshirë edhe nevojën e fëmijëve për kërkimlëmoshë. Është detyrë e institucioneve të largojnë nevojën e kërkim-lëmoshës përmes promovimit të barazisë sociale me theks në mbrojtjen e kategorive më të pambrojtura. Modeli i politikanëve dhe “biznesmenëve” oriental e lindorë sikur duan që t’i shohin ministrat duke ndarë publikisht lëmoshë. E nëse përveç edukatës familjare ka diçka që na ka bindur se nuk duhet të keqpërdoren publikisht rastet e njerëzve në nevojë, është modeli i politikbërjes së Behxhet Pacollit përmes kinse fondacionit të tij. Politikanit të Kremlinit dhe atyre të financuar nga burimet të ngjajshme i them që nuk do të kenë rast të zbulojnë “skandale” nga pozita që e ushtroj me shumë përgjegjësi, ndaj i mbeten të kujdestarojnë nëse unë do të jem aksidentalisht pjesë e ambienteve ku abuzohet me të tjerë, në këtë rast një fëmijë. Edhe në këtë rast, nëse mediat duan t’iu përngjajnë mediave profesionale do të duhej të kujdeseshin për mbulimin e fytyrës fëmijës që publikohet në video. Kjo vetëm e shpërfaqë para opinionit fytyrën e vërtetë të misionit të këtyre “mediave”, fytyrë të cilën ne që jemi pjesë e jetës publike ka kohë që e njohim.