Papa Françesku mbetet në gjendje kritike, por të qëndrueshme pasi iu nënshtrua një skanimi CT të martën, njofton Vatikani.
Zyrtarët e Vatikanit thonë se Papa, 88 vjeç, u kthye në punë në mbrëmje, duke bërë një telefonatë me famullitarin e Gazës. Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen për "të gjithë njerëzit e Zotit që janë mbledhur për t'u lutur për shëndetin e tij ditët e fundit".
"Gjendja e Atit të Shenjtë mbetet kritike, por e qëndrueshme. Nuk ka pasur episode akute të frymëmarrjes dhe parametrat hemodinamikë vazhdojnë të jenë të qëndrueshme," tha Vatikani në një deklaratë për mediat.
“Në mbrëmje ai iu nënshtrua një skaneri kontrolli të planifikuar për monitorim radiologjik të pneumonisë dypalëshe. Prognoza mbetet e rezervuar. Në mëngjes, pas marrjes së Eukaristisë, ai rifilloi punën”, vijon më tej deklarata.
Papa Françesku u shtrua në spital më 14 shkurt pasi një periudhë njëjavore e bronkitit u përkeqësua. Mjekët fillimisht diagnostikuan infeksionin kompleks viral, bakterial dhe fungal të traktit respirator dhe më pas fillimin e pneumonisë në të dy mushkëritë.
Të dielën vonë, mjekët thanë se testet e gjakut zbuluan "insuficiencë të hershme, të lehtë të veshkave", por se ajo mbetet nën kontroll. Mjekët thanë se Papa mbetet në gjendje kritike, por nuk kishte përjetuar ndonjë krizë të mëtejshme të frymëmarrjes që nga mbrëmja e së shtunës.