Një valë e re çmimesh nga tregjet e huaja pritet të godasë edhe ekonominë shqiptare, nëse lufta Rusi -Ukraine do të zgjasë. Rusia është një furnizues i madh i botës më lëndë të para, kryesisht grurë, naftë dhe metale. Sanksionet e dyanshme pritet të sjellin një rritje zinxhir në tregjet globale të mallrave duke bërë gjithçka edhe më të shtrenjtë, parashikojnë ekspertet ndërkombëtare.
Në luftën e sanksioneve të dyanshme Rusia do të përdore burimet e saj, grurin, gazin, naftën palladiumin (një lloj metali i ngjashëm me platinin që shërben si lëndë e parë për telefonat inteligjent etj).
Në Shqipëri kriza e fundit pritet të ndikojë negativisht vendin kryesisht në çmimet naftës dhe të drithërave. Importuesit e grurit shpjeguan se, rusët e përdoren për gjeopolitikë eksportin e grurit edhe gjatë pandemisë.
Gati gjysma e grurit vjen nga Rusia, e rëndësishme të sigurohet sasia. Rusia gjatë vitit 2020 vendosi kufizime te sasive, çka solli një rritje të shpejtë të çmimit në tregjet ndërkombëtare.
Monitor shkruan se çmimi i një toni grurë u rrit dje me 5 % brenda ditës në tregjet ndërkombëtare. Gëzim Pëshkëpia nga shoqata e Prodhuesve të Bukës dhe Brumërave tha se rritja e çmimeve të miellit dhe nënprodukteve të tij do të jetë e pashmangshme prej luftës. Sipas tij në këtë rast është më e rëndësishme të sigurohen sasitë e nevojshme të grurit, çmimi del në plan të dytë.
Importuesit pohuan dje se kanalet e furnizimit me Rusinë u bllokuan sapo filloi lufta por gjithçka do të varet nga dinamika e zhvillimit të ngjarjeve në ditët në vijim dhe se si do vijojë konflikti.
Çmimet e bukës dhe brumërave janë të ekspozuar direkt nga lufta. Rusia është furnizuesi më i madh në botë i grurit dhe, së bashku me Ukrainën, përbën gati një të katërtën e totalit të eksporteve globale. Sipas INSTAT, rreth gjysma e sasive vjetore të grurit (46%) që importon Shqipëria, vjen nga Rusia, ndërsa nga Ukraina erdhi 4% për vitin 2021.
Ushqimi si mjet diplomatik
Ushqimi ka qenë një mjet diplomatik në marrëdhëniet ruse me fqinjët e saj edhe më parë. Ajo ndaloi disa importe bujqësore turke si pjesë e një pakete masash pas rrëzimit të një avioni luftarak rus nga forcat turke në vitin 2015.
Importet rifilluan dy vjet më vonë dhe Turqia u bë importuesi kryesor i grurit rus në vitin 2019, pasi ra dakord të kalonte tranzitin rus të gazit për Evropën.
Kjo, pas refuzimit të autoriteteve bullgare. Ajo që ka ndryshuar, është shkalla dhe ambicia e industrisë, thonë analistët.
Kina, ku Moska është përqendruar që nga rënia e marrëdhënieve të saj me Perëndimin dhe ku ka nisur një tubacion të madh gazi, shihet nga Rusia si tregu i saj i madh ushqimor në të ardhmen.
Kjo, duke pasur parasysh popullsinë, afërsinë gjeografike dhe zgjerimin e pranisë së saj infrastrukturore, përfshirë hekurudhat drejt Lindjes. Rusia ka fituar terren pasi kushtet ekonomike dhe klimatike ua kanë bërë jetën më të vështirë disa prej rivalëve të saj kryesorë./VoxNews.al