
Çmimi i naftës në Shqipëri pritet që të rritet edhe më tej, duke pasur parasysh se sa i ndjeshëm është tregur shqiptar ndaj bursave ndërkombëtare kur bëhet fjalë për rritje çmimi.
Në tregjet ndërkombëtare, lufta e Rusisë në Ukrainë e ka kërcyer çmimin e naftës në mbi 105 dollarë për fuçi, më e larta që prej vitit 2014, kohë kur çmimet u ngritën sërish nga konflikti në Ukrainë dhe aneksimi i Krimesë prej Rusisë.
Sulmi rus në Ukrainë ka ngjallur panik se do të çorodisë zinxhirin e furnizimit, që ende s’e ka marrë veten dhe nuk është normalizuar pas çrregullimit të shkaktuar nga pandemia.
Në anën tjetër, sanksionet e reja që premtojnë BE dhe SHBA kundër Rusisë do të ndikonin edhe më tej në rritjen e çmimit të gazit, por edhe të karburanteve si nafta e benzina.
Aktualisht në Shqipëri një litër naftë shitet rreth 200 lek, ndërsa sipas rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, ku shifrat janë nga 8 deri në 10 për qind, nuk përjashtohet mundësia që në vendin tonë një litër naftë të shkojë 210 lek.
“Nëse sanksionet prekin sistemin e transaksioneve, bankat ryse dhe siguracionet që mbulojnë gazin dhe karburantet, nuk mund të përjashtohet një shkurtim në furnizim”, thotë analista e Cmoerzbank, Carsten Fritsch.
Vetëm të enjten, tre blerës të mëdhenj të naftës ruse e kishin të pamundur që të mbyllnin transaksionet për shkak të pasigurisë dhe frikës së sanksioneve.
Rusia është prodhuesi i tretë në botë më i madh i naftës dhe eksportuesi i dytë më i madh. Nisur nga këto shifra, tregu i karburanteve nuk mund ta amortizojë menjëherë mungesën e furnizimit nga Rusia.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.