
Donald Trump vuri në mëdyshje seriozitetin e Joe Biden në krye të Shtëpisë së Bardhë, teksa e akuzoi se atë nuk po e përfillin më.
“Sot, udhëheqësit e vendeve të tjera as që po ja hapin telefonin Presidentit të Shteteve të Bashkuara”, tha Trump gjatë një takimi në Nebraska.
Ai i referohej ‘incidentit’ ku udhëheqësit e Arabisë Saudite dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe nuk pranuan telefonatat dhe kërkesat e tij për të rritur prodhimin e naftës si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve.
“Nga ana tjetër, Putin po na flet gjithnjë e më shumë për armë bërthamore. Ai e bën këtë sepse nuk gëzon respekt për Presidentin e SHBA”, tha Trump.
Ish-Presidenti deklaroi se gjatë qeverisjes së tij 4-vjeçare, SHBA ishte më e fortë se kurrë.