Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov ka deklaruar për një television italian se diktatori nazist Adolf Hitler kishte gjak hebre dhe se disa nga antisemitët më të këqij janë hebrenj. Ai përsëriti pretendimin e Rusisë se pushtimi i saj në Ukrainë është për të “denazifikuar” vendin.
“Ai (Zelensky) parashtron një argument: çfarë lloj nazizmi mund të kenë nëse ai është hebre. Mund të kem gabim, por Hitleri kishte edhe gjak hebre. Nuk do të thotë absolutisht asgjë. Populli i mençur hebre thotë se antisemitët më të zjarrtë janë zakonisht hebrenjtë”, deklaroi Lavrov.
Deklarata e ministrit rus u prit me zemërim në të gjithë spektrin politik të Izraelit. Kryeministri izraelit Naftali Bennett deklaroi: Gënjeshtra të tilla kanë për qëllim të fajësojnë vetë hebrenjtë për krimet më të tmerrshme në histori dhe kështu të çlirojnë shtypësit e hebrenjve nga përgjegjësia e tyre. Asnjë luftë sot nuk është Holokausti apo si Holokausti."
Ministri i Jashtëm izraelit Yair Lapid reagoi me zemërim, duke i quajtur fjalët e zotit Lavrov "të pafalshme" dhe thirri në një takim sqarues ambasadorin rus në Izrael.
Zoti Lavrov u dënua gjithashtu nga kreu i memorialit të Holokaustit të Izraelit Yad Vashem, Dani Dayan.
“Shumica e vërejtjeve të tij janë absurde, delirante, të rrezikshme dhe meritojnë çdo dënim”, shkroi ai në Twitter. “Lavrov merret me përmbysjen e Holokaustit: kthimin e viktimave në kriminelë, bazuar në promovimin e një pretendimi krejtësisht të pabazuar se Hitleri ishte me prejardhje hebreje”.
Gjatë muajve të fundit, Izraeli, i cili ka një popullsi të madhe ruse, është përpjekur ndonjëherë të veprojë si ndërmjetës midis Rusisë dhe Ukrainës. Gjithsesi, qeveria izraelite është përballur me disa kritika për të mos mbajtur një qëndrim mjaft të ashpër me Presidentin Putin. Komentet e zotit Lavrov do të testojnë marrëdhëniet e Izraelit me Rusinë dhe megjithëse janë ofenduese për shumë njerëz, ato pasqyrojnë një tregim të përbashkët mes mbështetësve të Kremlinit.
Për dekada ka pasur pretendime të paprovuara se gjyshi i paidentifikuar i Hitlerit nga babai ishte hebre, të nxitur nga një pohim i avokatit të Hitlerit, Hans Frank.
Në kujtimet e tij, botuar në vitin 1953, Frank tha se ishte udhëzuar nga Hitleri për të hetuar thashethemet se ai kishte prejardhje hebreje. Frank tha se ai zbuloi prova se gjyshi i Hitlerit ishte vërtet hebre – edhe pse pretendimi, i cili ka fituar terren në mesin e teoricienëve të konspiracionit, është trajtuar me skepticizëm nga historianët e zakonshëm.