Skenari “Krimea 2”, Putin njeh pavarësinë e dy republikave të separatistëve në lindje të Ukrainës

21 February 2022, 19:42Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Skenari “Krimea 2”, Putin njeh pavarësinë e dy republikave

Kremlini njoftoi se Presidenti rus, Vladimir Putin kishte vendosur që të njohë pavarësinë e dy republikave separatiste të Luhanskut dhe Donetskut në Ukrainë, në një lëvizje të ngjashme që çoi aneksimin e Krimesë në 2014-n.

Vendimi është marrë pasi Presidenti rus u takua me dy të vetëshpallurit presidentë të dy republikave separatiste të ngritura nga prorusët në Ukrainë, si dhe thirrjes së Dumës Ruse një javë më parë që të njohë pavarësinë e tyre.

Një skenar i tillë ishte paralajmëruar më herët nga Perëndimi, se Putin do të njohë këto dy republika për të justifikuar dërgimin e trupave ruse me pretekstin e mbrojtjes së rusëve në këtë zonë të Ukrainës.

Dy liderë separatistë prorusë në Ukrainën lindore i kanë bërë thirrje Vladimir Putinit që të njohë "republikat e tyre popullore" si shtete të pavarura. Denis Pushilin, kreu i Republikës Popullore të Donetskut dhe Leonid Pasechnik, udhëheqës i Republikës Popullore të Luhanskut e bënë këtë kërkesë në Moskë, ku raportohet se ndodhen për një vizitë.

Apelet e tyre janë shfaqur nga televizioni shtetëror rus. Putin i tha këshillit të tij të sigurisë se ishte e nevojshme të shqyrtoheshin dy kërkesat në fjalë. “Objektivi ynë, objektivi i takimit tonë sot është të dëgjojmë kolegët dhe të vendosim për hapat tanë të ardhshëm në këtë fushë”, tha Putin.

 


Video