
Pas deklaratës së Vuçiçit se Kosova mund të bëhet anëtare e NATO-s, media serbe shkruajnë se anëtarësimi do të bëhet i mundur falë ndihmës së Perëndimit, i cili po harton një plan që Kosovën dhe Bonjën e Hercegovinën t’i shtyjnë drejt NATO-s.
Kjo do të bëhej e mundur me dy hapa.
Hapi i parë sipas medieve serbe është ndryshimi i sistemit të vendimmarrjes në vetë Aleancën, ku tashmë është në fuqi parimi i konsensusit të shteteve anëtare. Miratimi i një mekanizmi vendimmarrës me një shumicë të thjeshtë ose me dy të tretat do t’i hiqte pengesat për, të themi, vënien e Kosovës, e cila nuk njihet nga pesë anëtarë të BE-së (Sllovakia, Qiproja, Spanja, Rumania dhe Greqia), nën ombrellën e sigurisë së NATO-s, shkruan Novosti.
Në hapin e dytë, sipas medieve serbe do të përfshihet shtyrja e Bosnjes drejt anëtarësimit në NATO.
“Opozita e serbëve do të amortizohej nga ndryshimi i qeverisë në Republika Srpska në zgjedhjet në BeH që priten në tetor dhe ardhja e atyre që janë properëndimorë dhe të orientuar drejt NATO-s në poste kyçe”, shkruajnë mediat serbe.