Qeveria e Kosovës i është përgjigjur përmes ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku Ambasadorit gjerman, Jorn Rohde që kritikoi restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë, që e cilëson si bashkëpunëtor të nazistëve.
Çeku tha se restaurimi i monumenteve bëhet për t’i shërbyer komunitetit, jo për revizionizëm historik ose rehabilitim figurash. Sipas tij, monumenti është pronë publike, ka vlera të mëdha estetike dhe për nga tipologjia e ndërtimit paraqet ndër shembujt e parë në Kosovë të kalimit në arkitekturën moderne europiane. Ai shtoi se kjo është pjesë e kujtesës kolektive të banorëve të Mitrovicës dhe së fundmi edhe simbol i rezistencës qytetare karshi betonizimit.
“Emri që mban monumenti është shënjuesi më i parëndësishëm krahasuar me funksionet publike dhe vlerat që përfaqëson kjo ndërtesë për qytetin dhe qytetarët. Ndërtesa ka marrë statusin e asetit të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të ligjit në vitin 2011. Në vitin 2010 është hartuar për herë të parë projekti për restaurim, ndërsa i njëjti është reviduar në vitin 2017. Ndërhyrja e kaluar restauruese nga Ministria e Kulturës është bërë në vitin 2018 (faza e parë, kryesisht konsolidim strukturor)”, shkruan Çeku.
Ministria e Kulturës e Kosovës thotë se shtëpia është ndërtuar në vitin 1930 dhe në Listën e Trashëgimisë Kulturore figuron si ‘Shtëpia e Xhafer Devës’, edhe pse kryesisht ka pasur përdorim publik, duke përfshirë si shtëpi shëndeti.