Një peticion kundër investimit të dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner në Beograd është nisur nga një grup opozitarësh në Serbi.
Ata kanë bërë thirrje për anulimin e projektit që parashikon ndërtimin e hoteleve në ish godinën e Shtabit të Përgjithshëm serb, të bombarduar 25 vite më parë nga NATO.
Ata thonë se sipas ligjit serb, godina mund të rikthehet vetëm në identitetin origjinal si dhe kërkojnë që të shndërrohet në muze të historisë serbe.
Rreth 10 mijë qytetarë e kanë firmosur deri tani peticionin. Investimi i Kushner është mirëpritur nga mbështetësit e Donald Trump në Serbi.
Njëkohësisht, Kushner i ka paraqitur një kërkesë qeverisë shqiptare për ndërtimin e një resorti turistik në ishullin e Sazanit. Kryeministri Edi Rama publikisht është shprehur se e mbështet fuqishëm këtë investim duke thënë se e kishte “fiksim” që Sazanin t’ia jepte dikujt, por nuk ishte i sigurt se kush duhet të ishte ai që do e merrte.
Rama tha se Kushner është kandidati ideal për këtë investim që sipas tij do e shndërrojë Shqipërinë në “xhevahirin e turizmit” në Mesdhe.