Presidenti rus Vladimir Putin ka pranuar se sulmi terrorist në 22 mars në Moskë u krye nga një celulë terroriste islamike.
Megjithatë, gjatë një deklarate për media, Putin tentoi sërish të hedhë dyshime se Ukraina mund të jetë e implikuar në këtë sulm.
“Sulmi terrorist u krye nga islamikët e radikalizuar. Por ne na intereson të gjejmë kush e porositi”, tha Putin.
Ai sërish ngriti pyetjen se përse pas sulmit me 139 viktima, terroristët u larguan drejt Ukrainës. “Kush i priste aty?”, tha Putin.
Sulmi i 22 marsit “mund të jetë një lidhje e një serie përpjekjesh nga ata që kanë qenë në luftë me Rusinë që nga viti 2014 nga duart e regjimit të Kievit”, deklaroi Putin.
Ukraina e ka mohuar të ketë lidhje me terroristët dhe deklaratat se ata kishin planifikuar të arratiseshin drejt territorit ukrainas, i ka quajtur si të pavërteta.