Rrethi i ngushtë i Putinit e quan luftën në Ukrainë një gabim katastrofik

21 April 2022, 17:52Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rrethi i ngushtë i Putinit e quan luftën në Ukrainë një
Vladimir Putin me kreret e ushtrise

Një gabim katastrofik që do ta kthejë Rusinë vite pas. Kështu e konsideron rrethi më i afërt me presidentin rus Vladimir Putin, luftën e nisur më 24 shkurt në Ukrainë, shkruan ”Bloomberg” bazuar në burime ruse.

”Nuk ka mundësi që Putin të ndryshojë vendimin e marrë”, sipas burimeve.

”Bloomberg”, duke iu referuar disa burimeve shkruan se presidenti rus mund të përdorë gjithashtu armë bërthamore, duke cituar një duzinë burimesh të tij në kushte anonimati, dhe sipas të cilave ai i frikësohet edhe shërbimeve sekrete amerikane.

Në çdo rast, ndërgjegjësimi po rritet se vazhdimi i luftës do të shkaktojë vite izolimi për Rusinë dhe stanjacion ekonomik, ndërkohë që do të rrezikohej siguria e saj si dhe ndikimi në nivel global.

Brenda Kremlinit u befasuan gjithashtu nga shpejtësia e reagimit të SHBA dhe komunitetit ndërkombëtar ndaj agresionit ushtarak rus ndaj Ukrainës, si dhe vendimi për të vendosur sanksione që kanë ngrirë gjysmën e rezervave prej 640 miliardë dollarësh.

Kësaj i shtohen edhe kompanitë e mëdha të cilat pas dekadash investimesh kanë vendosur brenda natës të ndalojnë aktivitetin e tyre në Rusi.

”Bloomberg” shkruan gjithashtu se zyrtarë të lartë rusë janë përpjekur t’i shpjegojnë Putinit se ndikimi ekonomik i sanksioneve do të jetë shkatërrues, duke fshirë dy dekadat e rritjes dhe standardet më të larta të jetesës.

Prandaj, burimet thonë se sipas Putinit, Perëndimi nuk i kishte lënë alternativë tjetër veçse të shkonte në luftë dhe se ekonomia ruse do të përshtatet.

Megjithatë, sipas Bloomberg, pavarësisht nga zyrtarët “disidentë” në Kremlin, Putin ka mbështetjen e shumicës së elitës ruse, por edhe të shumicës së rusëve që besojnë se një konflikt midis vlerave të Rusisë dhe Perëndimit është i pashmangshëm.

Dhe për këtë arsye, shkruan Bloomberg, Putin këmbëngul se vendimi për të pushtuar Ukrainën ishte i duhuri.

”Presidenti rus thotë se ka besim se njerëzit janë me të dhe se është i gatshëm të durojë sakrifica prej vitesh”, vazhdojnë ato.

Por gati tetë javë pasi urdhëroi pushtimin e Ukrainës, vijon Bloomberg, Putini po humbet gjithnjë e më shumë trupa, imazhi i atdheut të tij po njolloset ndërsa vret civilë dhe Rusia po “izolohet” nga komuniteti ndërkombëtar.

Ukrainasit po rezistojnë fuqishëm, duke mbrojtur çdo masë të territorit të tyre dhe duke mos dorëzuar armët e tyre, diçka që, me sa duket, nuk është marrë parasysh nga “cari” i Rusisë.


Video