
Lufta në Ukrainë ka shkuar në ditën e 57-të. Faza e dytë, me ofensivën ruse në shkallë të gjerë kundër Ukrainës lindore, për të pushtuar Donbass, është duke u zhvilluar, por sipas Shteteve të Bashkuara, përparimi rus është ende i kufizuar.
Moska njoftoi dje se kishte testuar raketën e re balistike Sarmat , e aftë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, të "depërtojë çdo sistem ekzistues ose të ardhshëm të mbrojtjes raketore". Për Putinin, raketa e re "do t'i bëjë ata që kërcënojnë Rusinë që ta mendojnë mirë".
Mariupoli mbetet i rrethuar, dhe bastioni i fundit i rezistencës. Fabrika e çelikut Azovstal vazhdon të injorojë ultimatumet ruse. Ukraina ofroi dje një "sesion të posaçëm negociatash" që do të mbahej në Mariupol.
Lideri çeçen, Ramzan Kadyrov, tha se forcat ruse do të neutralizojnë sot rezistencën e fundit të bërë nga Regjimenti Azov dhe marinsat ukrainas në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol.
“Përpara ose pas drekës sot Azovstal do të jetë nën kontrollin e plotë të forcave të Federatës Ruse”, shkroi Kadyrov në profilin e tij në Twitter.
Pushtimi i uzinës së çelikut do të shënonte pushtimin përfundimtar të Mariupolit nga forcat ruse, të cilët kanë rrethuar qytetin që nga fillimi i pushtimit ushtarak të Ukrainës rreth tetë javë më parë.
Nga ana tjetër Kina vijon të mos dënojë agresionin rus në Ukrainë, ku lideri kinez Xi Jinping propozoi një qasje të re për "promovimin e sigurisë në botë", e cila "respekton sovranitetin e të gjitha shteteve dhe rrugën e zhvillimit që secili zgjedh".
“Ne respektojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha vendeve. Ne i përmbahemi mosndërhyrjes në punët e brendshme të të tjerëve dhe respektojmë njëlloj rrugën e zhvillimit që zgjedh secili”, tha lideri kinez, duke nënvizuar se Pekini është kundër “mentalitetit tipik të luftës së ftohtë, unilateralizmit dhe bllokadës”, deklarata që politikanët e vendit aziatik e përdorin shpesh kur i referohen Shteteve të Bashkuara për të kritikuar politikën e saj të jashtme.