Revolta e ish-agjentit të Mossad-it: Fonde nga Katari dhe llogari në kriptovaluta, të hetohet Netanyahu dhe familja e tij

22 September 2025, 22:41Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Revolta e ish-agjentit të Mossad-it: Fonde nga Katari dhe llogari në
Netanyahu

Më 9 shtator, Izraeli kreu një sulm ajror mbi territorin e Katarit, një ngjarje pa precedent, pasi kurrë më parë nuk ishin goditur objektiva në ndonjë nga Emiratet e Gjirit. Qëllimi ishte një grup drejtuesish të Hamasit në Doha, ku Katari prej dekadash u ofron strehim zyrtar.

Edhe pse rezultatet e sulmit nuk ishin të qarta fillimisht (dhe më vonë doli që ishte në pjesën më të madhe i pasuksesshëm), Netanyahu e mori përgjegjësinë menjëherë duke thënë: Ishte një operacion i pavarur izraelit. Izraeli e filloi, e zhvilloi dhe merr përgjegjësinë e plotë.

Pse Izraeli e pranon zyrtarisht sulmin

Kjo është e pazakontë. Rrallëherë Izraeli e merr publikisht përgjegjësinë për operacione në vende të treta, edhe kur provat janë të qarta. Deri tani, ka pranuar sulme në objektiva iraniane në Siri, por jo për vrasje të drejtuesve të Hezbollah-it në Liban apo të liderit suprem të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran.

Rruga diplomatike

Zakonisht, kjo paqartësi shërben për të lehtësuar rrugët diplomatike dhe për të shmangur hakmarrjen nga vendet e goditura. Por në rastin e Katarit, Netanyahu ka dashur të dërgojë një sinjal të qartë: ai është i lirë të veprojë edhe aty, pavarësisht se aty ndodhet baza më e madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.

Marrëdhëniet mes Netanyahu-t dhe Katarit janë aktualisht në qendër të vëmendjes në Izrael, ndërsa lufta në Gaza vijon pa negociata reale për lirimin e pengjeve dhe pa një strategji të qartë politike për paqe apo armëpushim.

Mosbesimi ndaj drejtorit të Shin Bet

Netanyahu ka larguar kreun e Shabak-ut (Shin Bet), Ronen Bar, pasi ai nisi një hetim për lidhjet e dy ndihmësve të afërt të Netanyahu-t me Katarin: Eli Feldstein dhe Yonatan Urich (ky i fundit nën hetim për marrje fondesh). Kjo ngre dyshime mbi ndërhyrjet politike në hetime sensitive.

Roli kyç i Katarit në forcimin e Hamasit

Pa përfshirjen e Katarit, nuk do të mund të kuptohej rritja e fuqisë politike dhe ushtarake të Hamasit në Gaza, as ngjarjet e 7 tetorit 2023.

Katari, vend aleat i SHBA-ve në Gjirin Persik, zotëron rezervat e treta më të mëdha të gazit natyror në botë, një fond sovran prej 557 miliardë dollarësh, dhe vetëm 400 mijë qytetarë, krahas 2.7 milionë emigrantëve, shumë prej tyre në kushte skllavërie moderne.

Prej dekadash, Katari ka financuar Hamasin, duke e pozicionuar veten si ndërmjetës, por njëkohësisht duke ushqyer radikalizmin në Gaza.

Njësia speciale e Mossad-it për inteligjencën financiare

Pikërisht për të ndjekur gjurmët e financimeve të Hamasit, Mossad formoi në vitin 2002 një njësi të re për “luftën ekonomike dhe inteligjencën financiare“, në krye të së cilës u vendos Udi Levi, ish-oficer i ushtrisë. Ai e drejtoi këtë njësi deri një vit para shpërbërjes së saj në vitin 2017, gjatë qeverisjes së Netanyahu-t.

Udi Levi kërkon hetim ndaj Netanyahu-t dhe familjes së tij

Sot, Udi Levi është këshilltar për hetimet financiare në disa vende dhe zëri i tij është ndër më të fortët në Izrael që kërkon një hetim të thelluar për marrëdhëniet financiare mes Netanyahu-t, familjes së tij dhe Katarit.

Inteligjenca financiare

Në një intervistë më 9 shtator, Levi u shpreh: Më pyesni nëse ka prova që dikush nga familja e Netanyahu-t ka marrë para nga Katari? Nuk mund ta them sot. Por duhet hetuar: a ka ndonjë partneritet në ndonjë projekt? A ka ndonjë investim? Në çfarë kompanie?.

Dhe vijon: Nuk kam marrë asnjë padi për këto deklarata. Nëse duan të më çojnë në gjyq, nuk kam problem. Por do të jem i detyruar të tregoj gjithçka që di. Nuk jam i sigurt nëse kjo do të ishte e mençur (për ta).

Levi nuk akuzon Netanyahu-n drejtpërdrejt për korrupsion, por kërkon një hetim të pavarur për financimet e dyshuara nga Katari, përfshirë:

-Valixhe me para të dërguara në Gaza (2018 e tutje).

-Dokumente të vitit 2012 dhe 2018, që përflasin për 15 dhe 50 milionë dollarë të dërguara nga Katari për fushatat elektorale të Netanyahu-t.

-Lidhje të mundshme me kriptovaluta dhe personazhe si Brock Pierce, përmes të birit Yair Netanyahu.

Dokumentet që akuzojnë Katarin për financimin e fushatave të Netanyahu-t vijnë nga një projekt i koduar “Raven”, një operacion i Emirateve të Bashkuara Arabe, që rekrutoi ish-agjentë të NSA-së për të hakuar qeveri të Lindjes së Mesme. Nga këto hakime dolën dy letra të dyshimta:

-Letra e parë (2012) nga ministri i Financave të Katarit që urdhëron një donacion prej 15 milionë USD për Netanyahu-n

-Letra e dytë (2018) që flet për një “mbështetje të shpejtë prej 50 milionë USD” për të.

Sipas Levi-t, askush në Izrael nuk i hetoi seriozisht këto dokumente dhe askush nuk kontaktoi kompaninë DarkMatter për të verifikuar autenticitetin.

Pasuria e papritur dhe lidhjet me kriptovalutat

Levi ngre pikëpyetje serioze: Nuk është normale që dikush të deklarojë një pagë të zakonshme, por në llogarinë bankare të ketë qindra miliona dollarë. Nga vjen ky kapital? Askush nuk e ka hetuar.

Ai përmend edhe vëllain e gruas së Netanyahu-t, Amartzia Ben-Artzi, si një ekspert kriptomonedhash, dhe lidhjet e djalit të kryeministrit me industrinë e kriptove në Porto Riko.

Një shtet që nuk guxon të hetojë

Sipas Levi-t, kultura e pandëshkueshmërisë në Izrael ka penguar hetime serioze ndaj figurave të njohura: Shteti i thellë (Deep State) jep përjashtime për njerëzit e famshëm. Kjo duhet të marrë fund. Në këtë vend është e pamundur të nisësh një hetim serioz ndaj kryeministrit.

Mos vallë na ka tradhtuar kryeministri?

Levi përfundon: Ky sistem po shkatërron shtetin e Izraelit. Agjentët nuk mund ta mbajnë më brenda vetes. Duhet të flasin. Atëherë do të mësojmë: kemi tradhtuar ne kryeministrin apo na ka tradhtuar ai neve?

Situata aktuale dhe politika e luftës

Netanyahu ka zëvendësuar Ronen Bar me një besnik, David Zini, në krye të Shabak-ut, një figurë që nuk do ta bezdisë me hetime.

Kryeministri vazhdon ta mohojë kategorikisht marrjen e çdo fondi nga Katari apo donatorë të tjerë të fshehtë. Ndërkohë, proceset gjyqësore në vijim ndaj tij lidhen me shuma shumë më të vogla, si 192 mijë dollarë nga dy biznesmenë izraelitë, ende të pa provuara.

Ndërsa Izraeli është në luftë, çdo hetim, çdo zë kritik si ai i Udi Levi-t, mbetet i mbytur në zhurmën e armëve. Çmimi? Një aleancë e pashkëputshme me të djathtën ekstreme mesianike dhe raciste, që kërkon shpopullimin me dhunë të Gazës dhe Bregut Perëndimor./Corriere della Sera


Video