Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar ashpër pas protestave të mbajtura sot në disa qytete të Italisë, të cilat u shoqëruan me bllokime rrugësh, pushtime të përkohshme të stacioneve dhe përplasje me forcat e rendit.
Protestat, të organizuara nga sindikatat bazë në shenjë solidariteti me popullin e Gazës dhe në mbështetje të flotiljes Global Sumud, u zhvilluan në mbi 80 qytete italiane.
Ndërsa pjesa më e madhe e manifestimeve ishin paqësore, incidentet në Milano tërhoqën vëmendjen e qeverisë dhe shkaktuan reagimin e Melonit, e cila në një deklaratë në rrjetet sociale i cilësoi pamjet si “të padenja”.
Ajo dënoi dhunën e disa grupeve që, sipas saj, nuk përfaqësojnë kauzën për të cilën pretendojnë se protestojnë.
“Imazhet që vijnë nga Milano janë të turpshme: të vetëshpallurit ‘pro-miq’, të vetëshpallurit ‘antifa’ dhe të vetëshpallurit ‘pacifistë’, duke shkatërruar stacionin dhe duke shkaktuar përplasje me forcat e rendit. Dhuna dhe shkatërrimi që nuk kanë të bëjnë fare me solidaritetin dhe nuk do ta ndryshojnë aspak jetën e njerëzve në Gaza, por do të kenë pasoja konkrete për qytetarët italianë, të cilët do të përfundojnë duke vuajtur dhe duke paguar për dëmet e shkaktuara nga këta huliganë. Mendimet e mia shkojnë për policinë, e cila është e detyruar të durojë arrogancën dhe dhunën e panevojshme të këtyre pseudo-protestuesve. Shpresoj për dënim të qartë nga organizatorët e grevës dhe të gjitha forcat politike.”, shkruan Meloni në X.
Meloni u bëri thirrje organizatorëve të protestave dhe të gjitha forcave politike që të distancohen qartë nga aktet e dhunës.
“Pres një dënim të qartë dhe pa ekuivok”, deklaroi ajo.
Protestat për Gazën në Itali vijojnë në një klimë të tensionuar, ku përplasja mes qëndrimeve pro-palestineze dhe reagimeve politike brenda vendit po bëhet gjithnjë e më e dukshme.