Presidenti rus Vladimir Putin ka vendosur të dekretojë një mobilizim të pjesshëm ushtarak.
"Po flasim për mbrojtjen e territoreve dhe mbrojtjen e Rusisë", tha Putin.
Moska deri më tani i ka rezistuar një lëvizjeje të tillë pavarësisht humbjeve në rritje, kryesisht për të shmangur pakënaqësinë publike.
Në një fjalim të regjistruar paraprakisht, Putin justifikoi agresionin e tij ushtarak dhe shqiptoi fjalën "luftë" për herë të parë: "Perëndimorët e shtynë Ukrainën në luftë me ne". "Kievi ka refuzuar të negociojë për paqen dhe po përpiqet të marrë armë bërthamore", tha presidenti rus.
Katër rajone të pushtuara nga Rusia do të zhvillojnë një referendumit për t'u bashkuar me Federatën Ruse. Perëndimi e konsideron votimin si të paligjshëm. Nëse këto rajone ukrainase bëhen toka ruse, Moska mund t'i paraqesë luftimet në territorin e pushtuar si një sulm ndaj Rusisë. Aty Putin gjen justifikimin për të mobilizuar një pjesë të dy milionë rezervistëve të tij ushtarakë.
Në një lëvizje në dukje të koordinuar, liderët pro-rusë të instaluar nga Moska në territoret e pushtuara kanë shpallur referendume nga 23-27 shtator në rajonet Lugansk , Donetsk , Kherson dhe Zaporizhia . Së bashku ata përfaqësojnë rreth 15% të territorit të Ukrainës./VoxNews