Një nga automjetet e eskortës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është aksidentuar mbrëmjen e sotme.
Ngjarja ka ndodhur rrugës për në Gjilan dhe siç shihet nga pamjet e mëposhtme të publikuara nga mediat kosovare, foristrada është përmbysur në rrugë.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar për mediat kosovare edhe zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili ka bërë me dije se në automjetin i cili është aksidentuar nuk ndodhej kryeministri Kurti. Sipas tij fatmirësisht si pasojë e këtij aksidenti nuk ka të lënduar.
“Rrugës për në Gjilan, një nga automjetet e eskortës së Kryeministrit Kurti ka pasur një aksident komunikacioni. Nuk bëhet fjalë për veturën në të cilën gjendej kryeministri. Për fat të mirë nuk ka të lënduar nga asnjëra palë e përfshirë në aksident”, ka thënë Kryeziu.
Ndërkohë, gjatë fjalimit në komunën e Gjilanit, aksidentin e përmendi edhe vet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se ky aksident ishte edhe njëra nga arsyet e vonesës.
“Kërkojmë falje për vonesën sonte sepse ishim në kampin e Policisë së Kosovës në Belvedere dhe aty qëndruam më gjatë sesa planifikuam. Ndërkaq teksa vinim në gjilan automjeti i eskortës tonë teksa ishin mbrapa nesh ka pasur një aksdient komunikacioni. Por tani morëm vesh se nuk ka të lënduar, dhe kemi pasur fat në këtë fatkeqësi”, deklaroi Kurti.