Dy punonjës të një agjencie funeralesh në Kosovë u arrestuan pasi kishin ngatërruar trupat e pajetë të dy viktimave të Covid në morgun e spitalit të Prishtinës.
Prokuroria e Prizrenit njoftoi se të arrestuarit janë shtetasit me inicialet E.R. dhe M.N. Ndaj tyre është caktuar masa e sigurisë arrest me burg për 48 orë.
Të dyshuarit E.R., dhe M.N. me automjet kanë shkuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë, me qëllim që të tërheqin nga aty trupin e pajetë të viktimës H.K. dhe ta dërgojnë në Prizren, për ceremoninë e varrimit nga familjarët e tij.
Por, të dyshuarit E.R., dhe M.N. kanë ngatërruar person, duke tërhequr trupin e pajetë të viktimës Z.D., së bashku me dokumentacionin e nevojshëm përcjellës, duke menduar se kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K.
Me të kuptuar gabimin e ndodhur, të dyshuarit E.R., dhe M.N., sërish janë kthyer në Klinikën Infektive dhe nga aty kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K., dhe e kanë dërguar në varrezat e qytetit në Prizren. Të dyshuarit e lartëcekuar, rreth orës 18:00, kanë paguar 300 euro disa persona që të bëjnë zhvarrimin e trupit të pajetë të viktimës Z.D., dhe në të njëjtin varr, kanë varrosur viktimën H.K.