Ministri rus i Mbrojtjes: Nuk largohemi nga Ukraina derisa të arrijmë qëllimet tona

1 March 2022, 14:19Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ministri rus i Mbrojtjes: Nuk largohemi nga Ukraina derisa të arrijmë
Sergei Shoigu

Ushtria ruse do të vazhdojë operacionin special ushtarak në Ukrainë deri në arritjen e qëllimeve të saj. Kështu deklaroi sot ministri i Mbrojtjes i Federatës Ruse dhe gjenerali i ushtrisë, Sergei Shoigu.

“Grupimi i Forcave të Armatosura të Federatës Ruse do të vazhdojë të kryejë një operacion të posaçëm ushtarak derisa të arrihen qëllimet e përcaktuara.”- tha Shoigu në një konferencë të martën, citon agjencia e lajmeve TASS.

Shoigu u shpreh se mbrojtja e Rusisë nga kërcënimi ushtarak nga Perëndimi është detyra kryesore e operacionit special në Ukrainë. Sipas tij Perëndimi po e përdor Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

“Gjëja kryesore për ne është të mbrojmë Federatën Ruse nga kërcënimi ushtarak i paraqitur nga vendet perëndimore që janë duke u përpjekur të përdorin popullin ukrainas në luftën kundër vendit tonë”, tha ai.

Kreu i Ministrisë së Mbrojtjes tërhoqi vëmendjen për deklaratën se sipas tij ushtria ruse nuk po pushton territorin ukrainas dhe se po merr të gjitha masat për të ruajtur jetën dhe sigurinë e civilëve.

“Dëshiroj të theksoj se sulmet kryhen vetëm në objektiva ushtarakë dhe ekskluzivisht me armë të precizionit të lartë”, shtoi ai.

Shoigu theksoi se gjatë përleshjeve, pala ukrainase vendosi “sisteme të shumta raketash dhe armë të kalibrit të lartë në oborret e ndërtesave të banimit, pranë shkollave dhe kopshteve, dhe po përdor civilët si mburoja njerëzore”.

Ai falënderoi personelin “për guximin dhe heroizmin, përmbushjen e ndërgjegjshme dhe profesionale të detyrave të caktuara”.


Video