Një prej vatrave më të mëdha të zjarrit në Greqi, ajo në Evros është arritur të shuhet pas plot 16 ditësh.
Plot 582 zjarrfikës me 16 divizione këmbësore dhe 129 automjete si dhe 9 avionë dhe 8 helikopterë nga ajri ishin angazhuar në këtë zonë në luftën me flakët.
Ndihma në përballjen me zjarret është dhënë nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile me forca nga Franca, Spanja, Qiproja, Rumania, Republika Çeke, Bullgaria dhe Sllovakia, si dhe përmes marrëveshjeve transnacionale nga Shqipëria dhe Serbia.
Por zjarri ka arritur të shkaktojë dëme tepër të mëdha duke shkrumbuar plot 35 mijë hektarë, pyje, shkurre dhe dru frutorë.
Zjarrfikësit vijojnë të jenë në gatishmëri, në këtë zonë për identifikimin dhe shuarjen e zjarreve më të vogla.
Zjarret këtë sezon janë konsideruar si më shkatërruesit në historinë e Greqisë, duke djegur rreth 150 mijë hektarë në total.