Lëshohen 61 masa arresti/ Operacion ndërkombëtar anti-drogë në Itali, Shqipëri, Zvicër e Poloni!

25 September 2024, 09:23Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Lëshohen 61 masa arresti/ Operacion ndërkombëtar anti-drogë
Foto ilustruese

61 masa arresti janë duke u zbatuar momentalisht në Itali, Shqipëri, Zvicër dhe Poloni.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane, ku sqarohet se kjo vjen pas një hetimi të gjatë dhe koordinimit mes autoriteteve ligjzbatuese italiane, me Europol, Eurojust, Zyrës së Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë, dhe forcave policore shqiptare, polake dhe zvicerane.

Personat janë nën hetim për krijimin e një organizate kriminale me qëllim trafikun ndërkombëtar të drogës, e cila dyshohet se ka pastruar edhe fitimet nga aktiviteti i paligjshëm.

Organizata dyshohet se ka pastruar fitimet e paligjshme përmes një sistemi të provuar të “faturave për operacione joekzistente”.

Ndaj personave nën hetim janë lëshuar urdhra për sekuestrim parandalues, me qëllim konfiskimin e pasurive me vlerën totale mbi 60 milionë euro, si produkte të veprave kriminale.

Detaje të tjera pritet të bëhen të ditura në orët në vijim.


Video