Kurti i kërkon Escobar anëtarësimin e Kosovës në NATO

8 April 2022, 19:00Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kurti i kërkon Escobar anëtarësimin e Kosovës në NATO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se Qeveria e tij ka mbështetjen e SHBA për rrugën e integrimit europian të Kosovës.

Së bashku me zëvendëskryeministren, njëhersh Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në prag të Forumit Ekonomik të Delfit, Kurti takoi Zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, njëherit i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sipas njoftimit të qeverisë së Kosovë, Kurti u shpreh mirënjohës për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Republikën e Kosovës, si dhe për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale.

“U diskutua për ndikimin rus dhe rrezikun e nxitjes së konflikteve të mundshme në vendet e Ballkanit Perëndimor. Si pasojë e këtyre zhvillimeve, kryeministri theksoi nevojën për kthimin e vëmendjes për sigurinë në rajon dhe investimeve në Kosovë. Ai theksoi renditjen e Kosovës përkrah botës demokratike në sanksionimin e Rusisë, si edhe për gatishmërinë e qeverisë së Republikës së Kosovës për të pranuar 5000 refugjatë nga Ukraina”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri Kurti ritheksoi domosdoshmërinë e integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe Bashkim Europian, për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kontinentin e Evropës.

“Escobar konfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, sovranitetin e integritetin e saj territorial dhe synimet e Kosovës drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, mbyllet deklarata.


Video