
Kosova dhe lidershipi i saj janë bërë ndër më të zëshmit në botë kundër agresionit rus duke iu bashkuar sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë.
Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti me deklarata e intervista janë pozicionuar kundër Rusisë ndërsa deputetët e Kosovës me qëndrimin e tyre për atë që po ndodhë në Ukrainë ,e kanë bërë të ditur me rezolutë. Madje, lidershipi më i lartë i vendit e ka thënë qartë se Putin është diktator dhe kriminel lufte.
Por, Kosova e cila vazhdimisht përdoret në diskursin rus, si arsyetim për veprimet e Moskës në ish-hapësirat sovjetike përfshirë Ukrainën, nuk figuron në listën e shteteve armike.
Kjo ka një shpjegim të thjeshtë, Kosova nuk njihet nga Rusia.
Kosova dhe Rusia nuk kanë kurrëfarë marëdhënie mes vete. Në fakt Rusia mban një zyre ndërlidhëse në Kosovë, që kur është rasti me shtetet mosnjohëse, akreditohen në admnistratën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë -UNMIK. Në hapjen e kësaj zyre në vitin 2005, kishte ardhur personalisht Ministri Jashtëm Serguy Lavrov. Por, diplomatët rus këtu pothuajse janë të padukshëm në Kosovë. Dy prej tyre megjithatë ishin dëbuar vitin e kaluar, në lidhje me trazirat në Veri./Express