
Pak orë pas ngjarjes së tmerrshme në Kosovë ku Sokol Halili vrau gruan e tij Hamide Magashi shtatzënë në maternitet, në Prishtinë kanë vërshuar reagimet.
Pas vrasjes së 35-vjeçares shtatzënë në repartin e Gjinekologjisë, ka reaguar edhe një kardiokirurg nga QKUK-ja, i cili duke dënuar rastin, ka thënë që shumë persona duhet të kërkojnë falje publike e të dhënë dorëheqje.
Leonard Bytyqi, ndër të tjera është shprehur se kanë dështuar si shtet, si shoqëri dhe si burra.
“Kena dështu komplet si shtet, si shoqni, si individ e si burra”.
Ai ka thënë se është i gatshëm të japë dorëheqje, përkundër që rasti nuk lidhet direkt me punën e tyre, por se një gjë e tillë duhet të bëhet për të treguar se dikujt i intereson për njerëzit që po vriten.
“Lshoni karriget, ikni prej atyne 2 grosh vota që keni me i marr mas 1 viti, e ndjera ishte nën urdhër mbrojtjeje. Mane n'mend, kena me u turpnue edhe n varr,” ka shkruar Bytyqi.
35-vjeçarja Hamide Magashi u qëllua për vdekje mbrëmë nga ish bashkëshorti i saj Sokol Halili, 31 vjeç në oborrin e maternitetit të Prishtinës. Viktima ishte shtatzënë, në ditën e fundit të saj të shtatzënisë kur bashkëshorti i saj e vrau pa mëshirë në orën 18:00. Ngjarja makabër erdhi si pasojë e mosmarrëveshjeve në çift, ishte pikërisht një divorc i ardhshëm çka mendohet të ketë shtyrë, Sokol Halilin të kryejë aktin barbar.