Ish-kryeministri Nikolla Gruevski dënohet në mungesë me shtatë vjet burg

21 April 2022, 18:20Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ish-kryeministri Nikolla Gruevski dënohet në mungesë me
Nikola Gruevski

Gjykata e Shkupit dënoi sot në mungesë me shtatë vjet burg ish-kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski, në një rast në të cilin akuzohet se ka përvetësuar 1.3 milionë euro nga partia që drejtonte, duke i përdorur paratë për të blerë tokë ndërtimore.

Në një rast të quajtur “Parcelat mbi ujë”, Gruevski, i cili gëzon azil politik në Budapest, u dënua në mungesë me një dënim prej shtatë vjetësh burgim dhe një gjobë prej 3 mijë e 200 euro.

Gjykimi ka zgjatur nëntë muaj dhe gjykata ka vendosur që të konfiskohet pasuria e krijuar nga vepra penale.

Prokurorja Lile Stefanova akuzoi Gruevskin në rastin “Parcelat mbi ujë” se ka marrë 1.3 milionë euro nga donacionet e VMRO/DPMNE dhe më pas ka blerë prona në Shkup dhe Krushevë.

Prokurorja u shpreh se dënimet për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ish-kreun e DSK-së, Sasho Mijallkov për rastin “Parcelat mbi ujë” janë të ulëta.

Nga tetori 2012 deri në shtator 2013, me paratë që Gruevski përvetësoi nga VMRO DPMNE, është blerë toka ndërtimore në Vodno, ndërsa Kamçevi, sipas Prokurorisë, është angazhuar në rishitjen e parcelave atraktive në Vodno.

Gjatë gjykimit u zbulua se Gruevski e ka këmbyer atë tokë me tre apartamente luksoze në kompleksin “Panorama” në Vodno dhe janë zbuluar edhe dy apartamente, një tjetër tokë në Vodno dhe dy parcela në Krushevë.

Nikola Gruevski u arratis në Hungari në nëntor 2018 për të shmangur vuajtjen e dënimit me dy vjet burg në një gjyq të dytë dhe menjëherë iu dha azil politik në Budapest.

Edhe disa procedura të tjera penale janë në pritje kundër tij në Shkup.


Video