
Kyrylo Budanov, kreu i Drejtorisë së Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës, tha për gazetën ukrainase Pravda se presidenti rus, Vladimir Putin ka "disa sëmundje", mes të cilave edhe kancerin.
“Ne e konfirmojmë plotësisht këtë informacion, se Putin ka kancer. Ai ka disa sëmundje të rënda, njëra prej të cilave është kanceri. Por nuk ia vlen të shpresojmë se Putini do të vdesë nesër. Atij i kanë mbetur të paktën disa vite. Duam apo jo, kjo është e vërteta", deklaroi Budanov.
Gjendja mendore e Putinit është vënë në dyshim vazhdimisht gjatë muajve të fundit, ndërsa më parë, një ish-operativ të MI6 britanike, Christopher Steele tha se Putini duhet të bëjë pushime të rregullta dhe të gjata për të marrë trajtimin mjekësor.
Kjo, sipas Steel ka shkaktuar kaos dhe pasiguri në vendimmarrje në Moskë.
Moska ka mohuar gjithmonë thashethemet që lidhen me gjendjen shëndetësore të Vladimir Putinit.