
Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenksi ka bërë një udhëtim të rrallë jashtë kryeqytetit, Kiev, njoftoi zyra presidenciale.
Ai vizitoi pozicionet e vijës së parë të luftës në rajonin e Kharkivit.
"Dua të falënderoj secilin prej jush për shërbimin tuaj. Ju rrezikoni jetën tuaj për të gjithë ne dhe shtetin tonë," u tha presidenti trupave.
Qyteti verilindor ka përjetuar disa nga luftimet më të ashpra që kur Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë më 24 shkurt.
Në një deklaratë tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se raketat e saj kanë shkatërruar një arsenal të madh të armëve të ushtrisë ukrainase në Kryvyi Rih - qytetin e origjinës së presidentit ukrainas.
Ndërkohë, Guvernatori i rajonit të Luhanskut ka akuzuar Rusinë për shkatërrimin sistematik të qytetit të Severodonetsk dhe vrasje civilësh. Serhiy Haidai tha se sulmet ishin të pamëshirshme ndërsa luftimet e ashpra po zhvillohen në zonë.
Severodonetsk është vendi më lindor në rajonin e Donbasit që ende mbahet nën kontroll nga Ukraina dhe aktualisht është një objektiv kyç për forcat ruse.
Guvernatori i Luhansk tha se shumë civilë në qytet ishin vrarë në sulmet e fundit dhe ndërtesat ishin shkatërruar, duke përfshirë blloqe apartamentesh dhe një kinema.
Por ai tha se trupat ruse që përpiqeshin të kapnin një rrugë jetike ishin tërhequr pas rezistencës ukrainase.
Më herët, presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski tha se situata mbetet e vështirë në rajonet Donbas dhe Kharkiv.



