Europa krah Zelenskyt: Ji i fortë, trim dhe i patrembur, nuk je vetëm!

1 March 2025, 20:13Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Europa krah Zelenskyt: Ji i fortë, trim dhe i patrembur, nuk je vetëm!

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka reaguar pas dështimit të negociatave mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Von der Leyen ka shprehur mbështetjen e saj për Ukrainën përmes një mesazhi në rrjetet sociale:

“Dinjiteti juaj nderon trimërinë e popullit ukrainas. Ji i fortë, trim, ji i patrembur. Nuk je kurrë vetëm, i nderuar President Zelensky. Ne do të vazhdojmë të punojmë me ju për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, shkruan Ursula von der Leyen.

Edhe përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka bërë një deklaratë të fuqishme në mbështetje të Ukrainës, duke theksuar angazhimin e Bashkimit Evropian në luftën kundër agresionit rus.

Ajo shprehu mbështetje për Ukrainën dhe u shpreh se ky shtet "është pjesë e Evropës" dhe se Evropa duhet të qëndrojë në krah të tij për të përballuar sfidat që paraqet agresori.

“Ukraina është Evropë! Ne qëndrojmë pranë Ukrainës. Ne do të shtojmë mbështetjen tonë për Ukrainën në mënyrë që ata të vazhdojnë të luftojnë kundër agresorit. Sot u bë e qartë se bota e lirë ka nevojë për një lider të ri. Na takon neve, evropianëve, ta përballojmë këtë sfidë.”

Presidenti francez, Emmanuel Macron u reshtua krah Ukrainës gjithashtu. Pas përfundimit të takimit, Macron shkroi në Twitter: “Rusia është agresori dhe Ukraina është viktima e agresionit.

Ishim të drejtë kur e ndihmuam Ukrainën dhe vendosëm sanksione ndaj Rusisë tre vjet më parë dhe duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë.”

Ndërsa Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme u tregua edhe më i ashpër ku në reagim ka shprehur mbështetjen e tij për Zelenskyn dhe ka kritikuar Trumpin dhe zëvendëspresidentin J.D. Vance, duke i quajtur veprimet e tyre të turpshme.

“Trump dhe Vance kanë bërë një shfaqje të turpshme. Më vjen turp për atë sjellje. SHBA meriton diçka më të mirë. Bota e lirë duhet të mbështesë Ukrainën. Unë kam qenë dhe jam me të,” ka shkruar Borrell.

Edhe Kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, Friedrich Merz ka deklaruar se qëndron krah Ukrainës në kohë të mira dhe të vështira.

Ai shton se nuk mund të krahasohet agresori me viktimën, reagim ky i nisur nga takimi mes Trump-it dhe Zelensky-t ditën e sotme, takim i cili u mbyll pa një marrëveshje.

“I dashur Volodymyr Zelensky, ne qëndrojmë me Ukrainën në kohë të mira dhe në prova. Nuk duhet të ngatërrojmë kurrë agresorin dhe viktimën në këtë luftë të tmerrshme”, tha ai.

Kancelari gjerman në largim, Olaf Scholz shkroi:

“Askush nuk dëshiron paqe më shumë se qytetarët e Ukrainës! Kjo është arsyeja pse ne po punojmë së bashku për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë. Ukraina mund të mbështetet te Gjermania dhe te Evropa”

Kryeministri holandez, Dick Schoof tha:

“Holanda vazhdon të mbështesë Ukrainën. Sidomos tani. Ne duam paqe të qëndrueshme dhe një fund të luftës së agresionit që ka nisur Rusia. Për Ukrainën, për të gjithë banorët e saj dhe për Evropën”

Kryeministri i Luksemburgut, Luc Frieden iu bashkua liderëve të tjerë evropian:

“Luksemburgu qëndron me Ukrainën. Ju po luftoni për lirinë tuaj dhe një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla”

Ashtu si presidenti portugez, Luis Montenegro:

“Ukraina mund të mbështetet gjithmonë te Portugalia”


Video