Brian Thompson, shefi ekzekutiv i grupit të madh të sigurimeve UnitedHealthcare, u qëllua për vdekje në qendër të Manhatanit të mërkurën në mëngjes përpara se të merrte pjesë në një konferencë me investitorët, bëri me dije policia e Nju Jorkut.
Personi i armatosur i maskuar, i cili është ende i lirë, dukej se ishte në pritë dhe e qëlloi Thompson disa herë nga pas, tha komisionerja e NYPD Jessica Tisch në një konferencë shtypi.
Të shtënat, të cilat u raportuan rreth orës 6:40 të mëngjesit, dukej të ishin një "sulm i shënjestruar", tha Tisch.
50-vjeçari Thompson, ishte në qytetin e Nju Jorkut për konferencën e investitorëve të UnitedHealthcare, e cila ishte planifikuar të fillonte në orën 8 të mëngjesit dhe orari i tij ishte i njohur gjerësisht, thanë burimet policore.
Konferenca po mbahej në Hilton jashtë të cilit ai u qëllua, por ai nuk po qëndronte aty. Hoteli ndodhet në kryqëzimin e West 54th Street dhe Sixth Avenue.
Autori duket se e dinte se në cilën derë do të hynte Thompson, i cili u qëllua disa herë në prag të derës në West 54 Street, thanë burimet e policisë.
"Njerëzit kaluan pranë autorit, por ai dukej se priste objektivin e tij," tha Tisch.
Pas të shtënave, i dyshuari iku në këmbë dhe më pas me një biçikletë elektronike, dhe për herë të fundit ai u pa në Central Park në Center Drive, tha Tisch.
Kompania mëmë e UnitedHealthcare, UnitedHealth Group, siguruesi më i madh shëndetësor në botë, tha në një deklaratë: "Jemi thellësisht të pikëlluar dhe të tronditur për vdekjen e mikut dhe kolegut tonë të dashur Brian Thompson".
Personi i armatosur, i cili kishte veshur një maskë skijimi, përshkruhet si një burrë i dobët i veshur i gjithi me të zeza, i cili është rreth 187cm, tha policia.