“Do jetonim shumë mirë pa Facebook”, Gjermania dhe Franca i përgjigjen kërcënimit të Zuckerberg

9 February 2022, 09:47Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Do jetonim shumë mirë pa Facebook”, Gjermania dhe Franca
Robert Habeck dhe Bruno Le Maire

Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck dhe homologu i tij francez, Bruno Le Maire, nuk shprehën shumë shqetësim përballë mundësisë që Meta të mbyllë aktivitetet e saj të Facebook dhe Instagram në Europë.

Kjo temë u trajtua në një konferencë për shtyp të hënën në Paris.

“Pasi ma hakeruan llogarinë, kam jetuar pa Facebook dhe Twitter për 4 vite; Jeta është fantastike”, tha Habeck.

“E sigurt që jetojmë shumë mirë pa Facebook dhe  do vazhdonim të jetonim pa Facebook”, tha Le Maire duke shtuar se gjigantët dixhitalë duhet të kuptojnë se Bashkimi Europian do t'i rezistojë "fuqisë së madhe të tyre”, do të mbrojë sovranitetin dhe të dhënat personale të qytetarëve.

Në raportin vjetor Meta pohoi se ndoshta mund të mos vazhdojë të ofrojë produktet dhe shërbimet e saj në Europë nëse BE nuk vazhdon të transferojë të dhëna personale të përdoruesve në SHBA.

Ndërkaq rregullatorët europianë po punojnë në një legjislacion të ri që të rregullojë këtë procedurë.

Në lidhje me këtë, Habeck sqaroi se nuk do të ndikohen nga njoftimi dhe kujtoi se ankesa të tilla lindën edhe kur Bashkimi Europian futi në 2018 Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave që u bë më pas një standard global.

“Besoj se këto kompanitë e mëdha dixhitale nuk janë mësuar që të kundërshtohen. Nuk duam që të dhënat tona personale t’u dorëzohen gjigantëve dixhitalë pa asnjë kontroll”, insistoi ministri francez/voxnews


Video