Katër anëtarë të familjes më të pasur të Britanisë janë dënuar me burg pasi janë shpallur fajtorë për shfrytëzimin e punëtorëve të tyre dhe ofrimin e punësimit të paautorizuar.
Prakash Hinduja dhe gruaja e tij Kamal, së bashku me djalin e tyre Ajay dhe gruan e tij Namrata, megjithatë, shpëtuan nga akuzat më serioze të trafikimit të qenieve njerëzore të lidhura me shërbëtorët e tyre në vilë.
Gjykata në Zvicër vendosi se shërbëtorët, të cilët ishin kryesisht indianë të pashkolluar dhe punonin në vilën e tyre buzë liqenit në Gjenevë, e dinin se në çfarë situate ishin duke u futur.
Katër anëtarët e familjes u dënuan me nga katër deri në katër vjet e gjysmë burg.
Avokatët që përfaqësojnë të pandehurit thanë se do të apelonin vendimin e gjykatës.
Në mbrojtjen e tyre, ekipi ligjor i familjes Hinduja deklaroi se stafi u trajtua me respekt dhe iu dha strehim.
Të katër ata u akuzuan për sekuestrimin e pasaportave të punëtorëve, duke i paguar në rupi (para indiane) jo në franga zvicerane, duke i ndaluar ata të largoheshin nga vila dhe i detyronin të punonin me orë të gjata torturuese për shuma qesharake parash, ndër të tjera.
Sipas një raporti, ata shpenzuan më tepër para për qenin e tyre, sesa shuma që i dhanë punonjësve në vilë.
Të pandehurit nuk ishin në gjykatë në Gjenevë edhe pse i pandehuri i pestë, Najib Ziazi, menaxheri i biznesit të familjes, ishte i pranishëm. Ai u dënua me 18 muaj me kusht.
Familja Hinduja, e udhëhequr nga Gopichand Hinduja, kryeson listën e të pasurve sipas Sunday Times 2024 me një pasuri të kombinuar prej 37 miliardë paund.