
Bashkimi Europian ka rënë dakord të sanksionojë 351 anëtarët e parlamentit rus, të cilët votuan në favor të njohjes nga Rusia të republikave popullore të vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut, në Ukrainën lindore.
Blloku do të ndëshkojë gjithashtu 27 individë dhe subjekte të akuzuar për destabilizimin e Ukrainës, kryerjen e fushatave dezinformuese dhe ofrimin e mbështetjes financiare për dy rajonet separatiste.
Ata do t'i nënshtrohen ngrirjes së aseteve dhe ndalimit të udhëtimit, që do të thotë se ata nuk do të lejohen të hyjnë, ose të kalojnë tranzit nëpër territorin e BE-së.
“Ky është një përshkallëzim i qartë i agresionit rus kundër Ukrainës”, tha Josep Borell, kryediplomati i BE-së, në një konferencë për shtyp në Paris.
"Ne demonstrojmë vendosmërinë tonë për t'iu përgjigjur fuqishëm zhvillimeve të fundit", vijoi ai.
Paketa e re e sanksioneve përfshin gjithashtu kufizime ndaj bankave dhe organeve qeveritare ruse që kufizojnë aksesin e tyre në tregjet financiare dhe kapitale të BE-së dhe bllokojnë borxhin sovran të Rusisë.
Tregtia midis vendeve të BE-së dhe rajoneve të shkëputura gjithashtu do të ndërpritet "për të siguruar që përgjegjësit të ndjejnë vërtet pasojat e veprimeve të tyre të paligjshme dhe agresive".
Duke ndjekur lidhjet tregtare, blloku dëshiron të parandalojë Moskën të mbledhë fonde shtesë që mund të përdoren për të financuar fushatën ushtarake që ka filluar në Ukrainën lindore.
BE-ja është partneri më i madh tregtar i Rusisë, duke përbërë 37.3 për qind të tregtisë totale të vendit në mallra në vitin 2020, sipas Komisionit Europian. Blloku merr mbi 40 për qind të gazit dhe 26 për qind të naftës së tij nga Rusia, një varësi që zyrtarët kanë nxituar javët e fundit për ta zbutur përmes blerjes së gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga vende si Norvegjia, Katari dhe Azerbajxhani.
Borrell vlerësoi gjithashtu vendimin e Gjermanisë për të ndaluar procesin e certifikimit të Nord Stream 2, tubacioni i diskutueshëm i gazit që do të sillte gaz shtesë rus në Europë.
Sanksionet e reja u miratuan unanimisht nga të 27 vendet anëtare në fund të një takimi të jashtëzakonshëm të ministrave të Jashtme në Paris.
Borrell pranoi se blloku "mund të kishte shkuar më tej", por duheshin bërë kompromise për të përshtatur pozicionet e të gjitha vendeve. Ai vuri në dukje se blloku ishte gati të vendoste dënime të mëtejshme nëse situata në kufi përkeqësohet dhe bëhet më e dhunshme.
"Ne nuk donim të tregonim të gjitha kartat tona që në fillim", tha ai, duke e quajtur paketën e së martës një "hap të parë". Ai konfirmoi se Putin nuk është në listën e sanksioneve.
Duma votoi në favor të njohjes më 15 shkurt, duke argumentuar se qeveria e lidhur me Perëndimin në Kiev përbën një kërcënim për shumicën pro-ruse në rajonin e Donbasit.
Republika Popullore e Donetskut (DPR) dhe Republika Popullore e Luhanskut (LPR) u krijuan në pranverën e vitit 2014 pas protestave dhe rrëzimit të Presidentit Viktor Janukoviç, një episod dramatik që ndodhi saktësisht tetë vjet më parë.
Qeveria ukrainase i konsideron DPR dhe LPR si organizata terroriste dhe i sheh provincat si territore të pushtuara, ashtu si gadishullin e Krimesë.
Përgjigja e bllokut vjen pasi SHBA dhe Britania e Madhe njoftuan lëvizje të ngjashme për të gjymtuar ekonominë e DPR dhe LPR në një përpjekje për të shtuar presionin mbi Kremlinin.
BE-ja kishte vendosur më parë sanksione ndaj 193 personave, si gjyqtarë, prokurorë dhe ligjvënës të Dumës dhe 48 entitete të akuzuara për cenim të integritetit territorial të Ukrainës në Krime dhe Sevastopol.