Kompania "Bello" - Dubai ekstradon në Belgjikë të shumëkërkuarin shqiptar Denis Matoshi

25 September 2026, 17:22Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë vendosur ekstradimin drejt Belgjikës të Denis Matoshit pas një procedure të gjatë ligjore.

Vendimi është konfirmuar nga prokuroria belge, ndërsa ai pritet të dërgohet në Belgjikë për të vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia në Antwerp.

37-vjeçari, i njohur me nofkën “shqiptari i gjatë”, është konsideruar nga autoritetet belge si një prej figurave drejtuese të organizatës kriminale Kompania Bello.

Sipas raportimit të medias belge “Gazet van Antwerpen” , ai është dënuar me 10 vite burg për rolin e tij në aktivitetin e trafikut të drogës.

Ekstradimi vjen pas një procedure të zgjatur mes autoriteteve belge dhe atyre të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Vendimi i Dubai-t i hap rrugë kthimit të tij në Belgjikë, ku do të përballet me ekzekutimin e dënimit të dhënë nga gjykata e Antwerp-it.

Organizata Kompania Bello është përmendur nga autoritetet belge në kuadër të një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të drogës, ndërsa çështja është trajtuar prej vitesh nga drejtësia belge.


Video